BE i ka qëndruar të njëjtës linjë, sa i përket rregullores së re të Gjykatës së Posaçme, e cila ka hyrë në fuqi në 1 shtator dhe që cënon lirinë e mediave në sallën e gjyqit.
Delegacioni i BE në Tiranë ka theksuar se Unioni Europian është i gatshëm që të ofrojë ekspertizë si për sistemin gjyqësor, ashtu edhe për komunitetin mediatik në mbështetje të gjetjes së një ekuilibri të drejtë ndërmjet masave të sigurisë dhe aksesit në informacion dhe transparencës së proceseve gjyqësore, në përputhje me standardet dhe parimet evropiane.
Pra ndonëse nuk shpreh kritika të drejtpërdrejta për dokumentin, që pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator, Delegacioni i BE-së lë të kuptohet qartazi se e sheh atë problematik në raportin që krijon me mediat.
Delegacioni i BE ka theksuar gjithashtu se Bashkimi Europian do të vijojë t’i monitorojë nga afër këto çështje në kuadër të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Përgjigja e Delegacionit të BE:
BE-ja është në dijeni të një rregulloreje të re të brendshme për sigurinë, rendin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), e cila merr parasysh karakteristikat e veçanta organizative, operacionale dhe të sigurisë që lidhen me GJKKO-në dhe proceset gjyqësore të saj.
BE-ja është e gatshme të vijojë të ofrojë ekspertizë të specializuar si për sistemin gjyqësor, ashtu edhe për komunitetin mediatik, në mbështetje të gjetjes së një ekuilibri të drejtë ndërmjet masave të sigurisë dhe aksesit në informacion dhe transparencës së proceseve gjyqësore, në përputhje me standardet dhe parimet evropiane.
BE-ja do të vijojë t’i monitorojë nga afër këto çështje në kuadër të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE./k.m
