Last Updated on 04/09/2026 by EL
Pesë vende të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord për një model të përbashkët për krijimin e “qendrave të kthimit” jashtë territorit të BE-së, ku mund të transferohen migrantë të parregullt, kërkesat e të cilëve për azil janë refuzuar dhe që nuk mund të kthehen në vendet e tyre të origjinës.
Marrëveshja u arrit pas një takimi të mbajtur të premten në Kopenhagë, ku morën pjesë ministrat e Brendshëm të Danimarkës, Austrisë, Gjermanisë, Holandës dhe Greqisë. Pesë vendet synojnë të jenë gati për transferimin e migrantëve të parë në një shtet partner jashtë BE-së gjatë vitit 2027.
Aktualisht, vendet pjesëmarrëse po negociojnë krijimin e këtyre qendrave në territorin e një ose më shumë shteteve partnere, ndërsa emrat e tyre nuk janë bërë ende zyrtarisht të ditur. Sipas disa raportimeve në media, Uganda dhe Ruanda janë ndër mundësitë që po shqyrtohen.
Ministri danez i Migracionit, Morten Bødskov, tha se parimet e dakordësuara në Kopenhagë krijojnë bazën për hapat e mëtejshëm dhe për të bërë të mundur transferimin e migrantëve të parë në vitin 2027.
Sipas tij, qendrat nuk do të jenë “burgje” apo “kampe paraburgimi”, por objekte ku migrantëve të parregullt do t’u ofrohet një mundësi e re nga vendet partnere.
Pesë shtetet pritet të financojnë plotësisht funksionimin e qendrave, ndërsa në kuadër të marrëveshjeve me vendet partnere mund të ofrohen edhe fonde shtesë, partneritete tregtare apo stimuj të tjerë ekonomikë.
Në dokumentin e përbashkët të parimeve thuhet se skema do të ndërtohet përmes “partneriteteve të barabarta dhe reciprokisht të dobishme” me vendet jashtë BE-së.
Nisma synon gjithashtu të reduktojë ndjeshëm migrimin e parregullt drejt Bashkimit Evropian. Ministri austriak Gerhard Karner deklaroi se objektivi i përbashkët i pesë vendeve është që migrimi ilegal të shkojë drejt zeros.
Ndërkohë, negociatat me vendet që mund të bëhen pjesë e këtij mekanizmi vijojnë. Ministri grek Thanos Plevris tha se diskutimet po bëhen gjithnjë e më të thelluara dhe produktive, duke shprehur shpresën se një marrëveshje mund të arrihet në të ardhmen e afërt.
Pesë ministrat pritet të takohen sërish në Mynih, në fund të muajit shtator, për të vijuar diskutimet mbi zbatimin e planit./et
