Last Updated on 06/09/2026 by EL
Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka dalë forcë e parë në zgjedhjet lokale në Saksoni-Anhalt, duke siguruar 44.5% të votave, sipas sondazhit të daljes nga votimi të transmetuesit gjerman ARD. Rezultati pritet të ketë jehonë përtej kufijve, ndërsa zhvillimet po ndiqen me vëmendje në Gjermani dhe në të gjithë Evropën.
Në krahun tjetër, CDU ka regjistruar një rezultat historikisht të dobët, duke marrë vetëm 18.5% të votave. Partia e Kristian Demokratëve ka humbur thuajse gjysmën e mbështetjes së saj krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, duke shënuar rezultatin më të ulët në historinë e saj në këtë land.
Sipas të dhënave paraprake, pas dy forcave kryesore renditen E Majta me 9.5%, të Gjelbrit me 9% dhe SPD me 8%. Ndërkohë, Aleanca Sarah Wagenknecht (BSW) ka siguruar rreth 5%, një rezultat që e lë ende të hapur mundësinë që partia të mos arrijë të kalojë pragun për të hyrë në parlamentin e landit.
Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, ndryshimi i hartës politike në Saksoni-Anhalt është i ndjeshëm.
AfD ka rritur mbështetjen me 23.7 pikë përqindjeje, duke e më shumë se dyfishuar rezultatin e saj të mëparshëm. Në të kundërt, CDU ka humbur 18.6 pikë përqindjeje.
Humbje më të moderuara kanë regjistruar E Majta, me -1.5 pikë, dhe SPD, me -0.4 pikë. Të Gjelbrit kanë shënuar një rritje prej 3.1 pikësh, ndërsa FDP ka pësuar një rënie të fortë prej 4.4 pikësh, duke u gjendur pranë zhdukjes nga parlamenti lokal. Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë e lartë, duke arritur në 76%.
Nëse projeksionet e sondazhit të daljes konfirmohen, AfD pritet të sigurojë 39 vende në parlamentin lokal, ndërsa CDU do të ketë 16 mandate.
E Majta dhe të Gjelbrit vlerësohen me nga 8 vende, ndërsa SPD me 7. BSW, nëse arrin të kalojë pragun, do të sigurojë rreth 5 mandate.
Parlamenti i Saksoni-Anhaltit ka 83 vende, ndërsa për të formuar shumicën nevojiten të paktën 42 mandate.
Kjo do të thotë se AfD është shumë pranë një shumice të vetme. Nëse BSW nuk arrin të hyjë në parlament, mandatet që do t’i takonin asaj do të rishpërndahen mes partive që kalojnë pragun, duke e bërë matematikën parlamentare edhe më të favorshme për AfD-në.
Megjithatë, sfida kryesore mbetet politike: partitë e tjera kanë përjashtuar bashkëpunimin me AfD-në.
Kreu i AfD-së: Kemi bërë histori
Kreu i AfD-së në Saksoni-Anhalt, Ulrich Sigmund, e cilësoi rezultatin si historik.
“Kemi bërë histori, duhet ta themi qartë”, deklaroi ai për ARD, duke e përshkruar rezultatin edhe si një mesazh për qeverinë federale gjermane të drejtuar nga kancelari Friedrich Merz.
I pyetur për mundësinë e formimit të një koalicioni me parti të tjera, Sigmund deklaroi se AfD është e gatshme të bashkëpunojë, por pa hequr dorë nga qëndrimet e saj kryesore.
“Ne nuk do të heqim dorë nga pozicionet tona kryesore për hir të pushtetit”, tha ai.
Rezultati i zgjedhjeve në Saksoni-Anhalt po shihet si një moment i rëndësishëm për politikën gjermane. AfD nuk ka qenë kurrë më pranë mundësisë për të marrë kontrollin e një qeverie lokale në një land gjerman.
Sondazhet para zgjedhjeve e vendosnin AfD-në rreth nivelit 40% ose më lart, ndërsa CDU llogaritej me 22-23% dhe të Gjelbrit rreth pragut prej 5%.
Në zgjedhjet e vitit 2021, rezultatet përfundimtare sollën një surprizë, pasi CDU performoi më mirë se sa parashikonin sondazhet e daljes, ndërsa AfD rezultoi më dobët. Këtë herë, megjithatë, tabloja duket shumë më e favorshme për AfD-në.
Problemi kryesor për partinë mbetet formimi i qeverisë. Nëse partitë e tjera mbajnë qëndrimin e tyre për të mos bashkëpunuar me AfD-në, krijimi i një shumice pa partinë e ekstremit të djathtë mund të rezultojë i vështirë.
Pikërisht për këtë arsye, ajo që po ndodh në Saksoni-Anhalt nuk konsiderohet më thjesht një zhvillim politik lokal. Rezultati pritet të ushqejë debatin mbi të ardhmen e së djathtës radikale në Gjermani dhe mbi ekuilibrat e rinj politikë në Evropë./ET
