Last Updated on 06/09/2026 by EL
Më shumë se 150 mijë pasagjerë kanë mbetur të bllokuar në Indonezi, pasi një shpërthim vullkanik detyroi autoritetet të pezullojnë përkohësisht operacionet në tetë aeroporte.
Aeroporti Ndërkombëtar Soekarno-Hatta në Xhakartë ishte i pari që u mbyll të dielën në mëngjes, pasi hiri vullkanik u zbulua në hapësirën ajrore pranë tij. Ministri i Transportit, Dudy Purwagandhi, tha se deri tani janë prekur 712 fluturime, ndërsa u kërkoi kompanive ajrore të shqyrtojnë mundësinë e devijimit të fluturimeve drejt aeroporteve të tjera.
Vullkani Anak Krakatau kishte nisur aktivitetin e tij të premten në mbrëmje, duke shkaktuar aktivitet të vazhdueshëm sizmik, rrjedhje lave dhe shpërthime të fuqishme. Dy shpërthime të tjera u regjistruan në orët e para të së dielës.
Sipas Ministrisë së Transportit, ndërprerjet kanë prekur kryesisht fluturimet drejt dhe nga Singapori, por edhe linja të tjera ndërkombëtare, përfshirë ato me destinacion Doha, Sydney dhe Kuala Lumpur.
Autoritetet vendosën të mbyllin përkohësisht edhe aeroporte të tjera pasi testet treguan se hiri vullkanik ishte përhapur në drejtim të Java-s Perëndimore.
Purwagandhi u bëri thirrje kompanive ajrore të përshpejtojnë rimbursimin e biletave për pasagjerët e prekur nga anulimet, si dhe të ofrojnë informacion në kohë për udhëtarët me fluturime të planifikuara, me qëllim shmangien e mbipopullimit në aeroportit.
Sipas agjencisë meteorologjike indoneziane BMKG, hiri vullkanik ka arritur lartësi deri në 6 mijë metra në Java dhe deri në 15 mijë metra në perëndim të vullkanit, në drejtim të Sumatrës./ET
