Altin Dardha, komandant i RENEA-s: Natyrisht që shërbimet, ose operacionet që kryen njësia speciale RENEA kanë shkallë të lartë vështirësie. Por edhe brenda vështirësisë ndryshojnë, me rrezik të ulët, rrezik të mesëm dhe rrezik të lartë. Operacionet më të vështira, ose operacionet më të rrezikshme, që është përballur RENEA, janë me persona, të cilët janë barrikaduar brenda një objekti dhe kanë hapur zjarr kundër forcave të Policisë, pastaj ka shkuar RENEA dhe është përballur. Këto janë operacionet më të vështira që kemi pasur ndër vite.
Por përtej stërvitjeve dhe skenarëve të simuluar, ka pasur raste kur RENEA është thirrur në terren në rrethana kur rreziku kishte marrë tashmë përmasa tragjike. Operacione ku, pak para mbërritjes së forcave speciale, një koleg polic kishte humbur jetën dhe ku efektivët e RENEA-s duhej të përballeshin jo vetëm me kërcënimin, por edhe me peshën emocionale të humbjes së një kolegu.
Altin Dardha, komandant i RENEA-s: Kanë qenë rastet kur RENEA ka shkuar në një operacion pasi në atë operacion ka pasur viktima nga radhët e Policisë. Mbaj mend operacionin e Shkodrës, në zonën e Muriqanit, ku ne kemi shkuar pasi atje kishte humbur jetën një oficer i Policisë që ishte me detyrë në Njësinë e Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër. Normalisht kur shkon në një ngjarje të tillë, përveç atyre emocioneve dhe adrenalinës që ka një efektiv i RENEA-s, normalisht kur shkon pasi ka humbur jetën një punonjës Policie ndryshon edhe më shumë gjendja emocionale, sepse shkojmë në një operacion ku pak para se të mbërrinim ne ka humbur jetën një kolegu jonë. Është po ashtu edhe operacioni i Torrovicës ku edhe aty ka humbur jetën një punonjës policie i FNSH Shkodër. Kemi pasur pastaj operacione të vështira në Elbasan, në Maliq, ku persona të cilët kanë pasur probleme me familjarët e tyre, ka filluar si një dhunë brenda familjes, ka vazhduar si një dhunë dhe hapje zjarr në drejtim të komunitetit, pastaj i është dashur RENEA-s të shkojë, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore. Është shumë i rëndësishëm bashkëveprimi me Policinë Vendore, për të shkëmbyer informacione mbi personin, veprimtarinë e tij. Qoftë për ato kërkesa që ne kemi për t’u plotësuar në këto operacione. Pra janë kërkesa që mund të ketë nevojë për ndërhyrje nga Policia Vendore që ne të na përgatiten kushtet për ta zgjidhur këtë operacion në mënyrë sa më të suksesshme. /et
