Princi Harry, Meghan Markle dhe fëmijët e tyre, Princi Archie dhe Princesha Lilibet, mbërritën në Britaninë e Madhe më 26 gusht, pasi një javë më parë u bënë publike planet e tyre të papritura për t’u rikthyer për të jetuar atje.
Ndërsa Archie dhe Lilibet pritet të nisin shkollën, Harry dhe Meghan synojnë t’i shoqërojnë dhe t’i marrin vetë fëmijët nga shkolla. Sipas një miku të çiftit, pikërisht ky është “pa dyshim shqetësimi më i madh” për ta, për shkak të çështjeve të sigurisë.
“Kjo krijon rrezikun më të madh”, ka shtuar miku.
Siguria mbetet një nga shqetësimet kryesore të Princit Harry dhe Meghan Markle pas rikthimit të papritur në Britani në fund të muajit të kaluar, së bashku me fëmijët e tyre, Archie, 7 vjeç, dhe Lilibet, 5 vjeç.

Sipas një raportimi të ri nga gazeta britanike The Telegraph, shoqërimi i fëmijëve në shkollë dhe marrja e tyre pas mësimit përbën në veçanti “rrezikun më të madh” për dukën dhe dukeshën e Sussex-it.
Archie dhe Lilibet pritet të fillojnë së shpejti një shkollë në Britani, ndërsa familja po jeton në një banesë private, jashtë rezidencave mbretërore, në periferi të Londrës. As shkolla e fëmijëve dhe as vendbanimi i familjes nuk janë bërë publikë.
Ndërkohë, Harry dhe Meghan janë ende në pritje të një përgjigjeje nga Ministria e Brendshme britanike lidhur me faktin nëse do të përfitojnë ndonjë formë mbrojtjeje policore të financuar nga taksapaguesit.
Çifti hoqi dorë nga kjo mbrojtje në vitin 2020, kur u tërhoq nga detyrat e tyre si anëtarë aktivë të familjes mbretërore dhe u zhvendosën në Montecito të Kalifornisë.
Sipas The Telegraph, Harry beson se po i mohohet mbrojtja si një formë “ndëshkimi” për largimin nga detyrat mbretërore. Ai gjithashtu mendon se vonesa në përgjigjen e autoriteteve, tani që rrethanat kanë ndryshuar dhe ai është rikthyer në Britani, është një formë “loje politike”.

Sipas gazetës, Harry dhe Meghan synojnë të vazhdojnë t’i shoqërojnë dhe t’i marrin vetë fëmijët nga shkolla sa më shpesh të jetë e mundur, ashtu siç vepronin edhe në Montecito.
Meghan kishte folur më parë për këtë çështje në një intervistë të vitit 2022, ku shprehej se nuk do të mund t’i çonte apo t’i merrte fëmijët nga shkolla në Britani pa u kthyer gjithçka në një skenë mediatike.
Ajo kishte thënë se një veprim kaq i zakonshëm do të shoqërohej me fotografë dhe gazetarë që do të prisnin jashtë shkollës.
“Më falni, por unë kam problem me këtë”, deklaroi Meghan. “Kjo nuk do të thotë se jam e fiksuar pas privatësisë. Do të thotë se jam një prind i fortë dhe i mirë, që po mbron fëmijën tim.”
Scott Hamer, i cili punoi për 14 vjet në njësinë e policisë metropolitane britanike për mbrojtjen e familjes mbretërore dhe personave të tjerë në rrezik, deri në vitin 2022, foli gjithashtu për këtë çështje.
Hamer, i cili për pesë vite kishte shërbyer si oficer personal i mbrojtjes së mbretit Charles, tha se çdo kërcënim ndaj Harry-t dhe familjes së tij duhet të vlerësohet në mënyrë objektive.

“Nëse ekziston një kërcënim i besueshëm ndaj tij dhe familjes së tij, ai duhet të vlerësohet në mënyrë objektive. Nëse ekziston një rrezik real, shteti duhet të sigurojë mbrojtje. Nëse nuk ekziston, atëherë në rregull, por le t’ia bëjnë të ditur”, tha ai.
Harry ka kaluar prej vitesh duke kërkuar rikthimin e mbrojtjes policore dhe më parë ka deklaruar se, pa të, nuk ndihej i sigurt për ta sjellë familjen në vendin e tij të lindjes.
Sipas The Telegraph, Harry mendon se rikthimi i familjes në Britani përbën një “ndryshim të rëndësishëm të rrethanave” dhe se kjo duhet të çojë në një vlerësim të ri të nevojave të tij për siguri.
Për momentin, çështja e mbrojtjes së familjes mbetet e pazgjidhur, ndërsa fillimi i shkollës për Archie-n dhe Lilibet pritet të jetë një nga situatat më të ndjeshme për çiftin./k.m
