Ngjarja e regjistruar më 3 shtator në zonën e Radhimës, ku një konflikt mes dy biznesmenëve Luan Muça dhe Vasil Bedinaj, u shoqërua me përplasje verbale dhe fizike, si dhe me përdorimin e armëve, riktheu në vëmendje një konflikt të hershme mes dy palëve për një sipërfaqe toke në Palasë.
Ky konflikt i cili u komentua edhe nga vetë kreu i qeverisë, Edi Rama, u diskutua mbrëmjen e së hënës në studion e emisionit “Top Story”, ku përpos analizës së panelistëve, reaguan për herë të parë edhe institucionet, përfshirë edhe ortakun e biznesmenit Bedinaj.
Siç dhe kemi bërë me dije më herët, pas ngjarjes së paradites së 3 tetorit, ku biznesmeni Luan Muça zbarkoi me njerëzit e tij në ambientet e resortit “Regina Palm”, vetë Bedinaj e akuzoi për një gjobë prej 5 milionë eurosh. Ndërkohë që vetë Muça hodhi poshtë këto pretendime përmes një deklarate të bërë publike për mediat, pak pasi Gjykata vendosi ndaj tij masën e “detyrim paraqitje”.
Por, përtej asaj që ndodhi më 3 shtator, historia mes dy palëve lidhet me një çështje pronësie që prej kohësh është bërë objekt debatesh dhe procedurash institucionale.
Zanafilla e konfliktit lidhet me një sipërfaqe toke në zonën e Palasës, ku të dyja palët kanë paraqitur dokumentacion pronësie dhe kanë shprehur interes për zhvillimin e projekteve turistike.
Sipas dokumentacionit të paraqitur për këtë çështje, biznesmeni Luan Muça, pronar i “Delta Group”, ka blerë një sipërfaqe toke në zonën e Palasës, me synimin për zhvillimin e një resorti turistik. Procesi i blerjes është shoqëruar me dokumentacion pronësie të krijuar përmes kontratave të shitblerjes, me origjinë nga vendime të ish-komisioneve të kthimit të pronave, vendime gjykatash dhe Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi.
Pas shfaqjes së pretendimeve të disa banorëve të zonës mbi të njëjtën sipërfaqe, Muça ka hyrë në negociata me ta dhe sipas materialit të bërë publik, ka arritur marrëveshje duke kryer pagesa për pronën. Më pas, kompania “Delta” ka vijuar procedurat për zhvillimin e projektit dhe ka marrë një leje ndërtimi për “Delta Falaise Resort & Village, Zona 1”.
Në të njëjtën zonë ka hyrë në proces edhe biznesmeni Vasil Bedinaj, i cili sipas dokumentacionit të paraqitur, që po ashtu konfort me ligjin, ka blerë një sipërfaqe toke pranë parcelës së Muçës. Pikërisht këtu shfaqet edhe pretendimi për mbivendosjen e një pjese të sipërfaqeve, duke sjellë përplasjen mes dy palëve.
Çfarë thotë ortaku i Vasil Bedinajt
Në “Top Story”, për pronën ka folur ekskluzivisht edhe Kastriot Hasko, ortak i biznesmenit Vasil Bedinaj. Hasko deklaroi se është trashëgimtar i pronës dhe se dokumentacioni për të është regjistruar nga nëna e tij në vitet 1990.
“Jam Kastriot Hasko, historinë e kësaj prone e ka bërë e ndjera mamaja ime, nga Vunoi. Prona është trashëgimi dhe dokumentet mami im i ka bërë që në ’95 dhe në ’96 është regjistruar në hipotekë, po kemi vërtetim pronësie. Mund t’ua paraqes edhe dokumentet me avokaten. Unë jam trashëgimtar”, tha ai, duke theksuar më tej se bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 37 hektarësh dhe se ai është përfaqësuesi trashëgimtarëve.
“Bëhet fjalë për 37 hektarë, jam përfaqësues i të gjithë trashëgimtarëve, kam kontratë me Reginën, atë e gjeta biznesmen, kam bërë edhe kallëzime. Prona do vejë te i zoti. Le të shkojë jo në SPAK, po ku të dojë, dokumentacionet unë i kam të rregullta”, tha Hasko ndër të tjera duke u shprehur më tej i gatshëm se do t’ia vendosë drejtësisë në dispozicion të gjitha dokumentat që ai ka sa i përket kësaj sipërfaqe.
“Unë di të them që mua deri tani nuk më ka kërcënuar njeri. Unë nuk jam thirrur në SPAK dhe po të thirrem, do marr dokumentacionin. Atë pronën nuk e gëzon njeri, e kam regjistruar në hipotekë”, tha ai.
Ndërkohë që i ndalur te mundësia e shpronësimit, term i cili u përdor nga vetë kreu i qeverisë Rama, i cili pas përplasjes së biznesmenëve deklaroi se kjo tokë do t’i kalojë shtetit ku dhe do të mbillen ullinj, Hasko tha se nuk ka kundërshtim për sa kohë që secila palë do të marrë atë që i takon.
Reagimi i institucioneve, Kadastra dhe AZHT
Ndërkohë që sa i përket këtij konflikti dhe “ngërçi”, i cili e ka zanafillën të hershme, reagoi edhe Kadastra. Po ekskluzivisht për “Top Story”, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dha një pasqyrë të dokumentacionit që administron për zonën dhe palët e përfshira.
Sipas ASHK-së, hapësira e përmendur si zona “mes Drimadhës dhe Palasës” i përket Zonës Kadastrale nr. 1739, ku procesi i regjistrimit fillestar, në marrëveshje mes ASHK-së dhe Bashkisë Himarë pritet të përfundojë brenda vitit 2027.
Kadastra sqaroi se në zonat ku regjistrimi fillestar nuk ka përfunduar ende, vërtetimi i pronësisë ose vërtetimi hipotekor shërben si provë se subjekti ka depozituar pranë ASHK-së dokumentet ligjore që disponon për titullin e pronësisë.
“Në lidhje me dokumentacionin që lëshohet nga ASHK në rast interesimi për zhvillim të pronës, sqarojmë se, në zonat kadastrale ku nuk ka përfunduar ende regjistrimi fillestar, vërtetimi i pronësisë/vërtetimi hipotekor është prova se subjekti ka depozituar pranë ASHK-së dokumentet ligjore që disponon për titullin e pronësisë,. Në kuptim të nenit 19, të Ligjit 111/2018 “Për Kadastrën”, pikës 24 të VKM nr. 782/2020, të ndryshuar, këto vërtetime janë të vlefshme për përdorim nga pronari dhe autoritetet publike deri në përfundimin e procesit të regjistrimit fillestar”.
Sa i përket kompanisë “Delta” ASHK bën të ditur se ajo ka depozituar gjatë viteve 2019, 2020 dhe 2021 dokumentacion ligjor për disa tituj pronësie të fituar përmes kontratave të shitblerjes, origjina e të cilëve lidhet me vendime të ish-komisioneve të kthimit të pronave, vendime gjykatash dhe AMTP.
Sipas Kadastrës, në regjistrin e veçantë të lejeve të ndërtimit është regjistruar më 24 korrik 2024 leja e subjektit për projektin “Delta Falaise Resort & Village, zona 1”, e cila sipas të dhënave të institucionit, është e vetmja leje e regjistruar deri më tani në lidhje me këtë çështje.
Për subjektin tjetër të përfshirë në konfliktin e pretendimeve pronësore me kompaninë e Muçës, ASHK thotë se nga verifikimi i të dhënave të administruara prej saj nuk rezulton të jetë paraqitur kërkesë dhe nuk është lëshuar shërbim për pajisje me vërtetim pronësie në emër të këtij subjekti.
Megjithatë, Kadastra thotë se në të njëjtën zonë është paraqitur kërkesë dhe është lëshuar në korrik 2024 një vërtetim pronësie në emër të një individi tjetër, për një titull pronësie që rrjedh nga një vendim i ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
“Për këtë titull pronësie, në kuadër të verifikimeve administrative të kryera dhe për çështje që kërkojnë vlerësim nga organet kompetente, ASHK ka përcjellë në vitin 2025 pranë Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, dokumentacionin përkatës duke qenë se ka pasur dyshime të arsyeshme për një falsifikim të mundshëm”, sqaron ASHK.
Edhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit ka dhënë një përgjigje për “Top Story”, duke sqaruar statusin e aplikimeve për zhvillim në zonën ku ndodhet prona objekt konflikti. Sipas AZHT-së, në atë zonë ka vetëm një leje ndërtimi të miratuar dhe në fuqi, ajo për projektin “Delta Falaise Resort & Village, Zona 1”.
“Në atë zonë ka vetëm një leje ndërtimi të miratuar, e cila është edhe e vetmja leje në fuqi për projektin “Delta Falaise Resort & Village, Zona 1”, thuhet reagim.
Sipas institucionit, kjo leje është miratuar më 27 korrik 2022, ndërsa dokumenti përfundimtar është lëshuar nga AZHT më 21 shkurt 2024, pasi subjekti ka plotësuar dokumentacionin tekniko-ligjor të parashikuar nga ligji.
Për kompaninë “Delta”, AZHT thotë se më 14 nëntor 2024 është bërë një tjetër aplikim për projektin “Delta Falaise Resort Zona 1 dhe Zona 2”. Për këtë aplikim sipas agjencisë nuk ka pasur vendimmarrje nga KKTU, pasi nuk janë përmbushur kushtet ligjore të dokumentacionit të pronësisë.
“Kompania vërtetë ka dorëzuar dy vërtetime hipotekore, por bashkë me to edhe 11 AMTP, koordinatat e të cilave sipas verifikimit të strukturës GIS nuk rezultojnë të jenë në sistemin zyrtar të referimit KRGJSH/UTM.”
Për këtë arsye, AZHT sqaron se nuk e ka vijuar shqyrtimin e aplikimit dhe i ka kërkuar subjektit të adresojë procedurat e regjistrimit dhe të pajiset me vërtetim hipotekor sipas ligjit.
“AZHT e ka ligjërisht të ndaluar të hyjë në origjinën e pronës dhe nuk ka asnjë kompetencë të kontrollojë se si është krijuar apo regjistruar prona, sepse AZHT ka vetëm një pikë referimi: Kadastrën dhe regjistrat e saj”, thuhej ndër të tjera në reagim.
Ndërkohë për “Regina Group Construction” kompania e lidhur me Vasil Bedinajn, AZHT bën të ditur se është bërë një aplikim më 24 prill 2026 për resortin turistik “Regina Collection Palasë”.
Sipas agjencisë, në këtë aplikim është dorëzuar një vërtetim hipotekor në emër të një individi tjetër, si dhe një kontratë sipërmarrjeje mes pronarit të truallit për ndërtim dhe zhvilluesit.
“Ky aplikim është shqyrtuar nga KKTU më 30 korrik 2026, por nuk është miratuar sepse KKTU ka vendosur kusht çertifikimin përfundimtar të dokumentacionit të pronësisë dhe te mbivendosjeve të mundshme me zhvillimet kufitare. Vetëm nëse kadastra konfirmon statusin juridik të pronës dhe mungesën e mbivendosjeve, aplikimi mund të vazhdojë procesin”, thuhet po ashtu në reagimin zyrtar të AZHT.
