Last Updated on 08/09/2026 by EL
Italia ka propozuar që transaksionet me euron digjitale nën 10 euro të përjashtohen nga tarifat për bizneset e vogla, sipas burimeve dhe dokumenteve të siguruara nga Euronews.
Nisma shihet pozitivisht nga komuniteti bankar, veçanërisht nga Banka Qendrore Europiane (BQE).
Euroja digjitale është një formë pagese elektronike që pritet të plotësojë përdorimin e parasë fizike. BQE synon të jetë gati për emetimin e saj të parë të mundshëm në vitin 2029, nëse rregullat e nevojshme miratohen gjatë këtij viti.
BE-ja po e shtyn përpara projektin edhe për të ulur varësinë nga sistemet amerikane të pagesave, si Visa dhe Mastercard, dhe për të rritur autonominë europiane në këtë sektor.
Euroja digjitale do të ketë status ligjor, që do të thotë se tregtarët, me disa përjashtime, do të jenë të detyruar ta pranojnë. Për këtë arsye, negociatorët po diskutojnë mënyrën e ndarjes së tarifave mes bankave, tregtarëve dhe aktorëve të tjerë.
Një diplomat i BE-së tha se aktualisht po shqyrtohet një tarifë maksimale prej 0.02 eurosh për transaksionet me vlerë të ulët, veçanërisht për bizneset e vogla, por nuk përjashtohet mundësia që tarifa të jetë praktikisht zero.
Sipas dokumenteve të negociatave, skema e tarifave do të jetë e përkohshme. BQE-ja do të mbledhë të dhëna mbi kostot dhe më pas mund të propozojë një model të ri.
Bizneset e vogla zakonisht paguajnë tarifa më të larta se kompanitë e mëdha, për shkak të fuqisë më të dobët negociuese. Sipas një analize të BQE-së, tarifat që paguajnë bizneset e vogla mund të jenë tre deri në katër herë më të larta.
Çështja do të diskutohet nga shtetet anëtare, Parlamenti Europian dhe Komisioni Europian në raundin e ardhshëm të negociatave në Bruksel, më 10 shtator./et
