Gjermania do të dërgojë në Ukrainë raketa interceptuese “Patriot” të nevojshme urgjentisht, ndërsa Kievi përballet me një valë sulmesh ruse, bëri të ditur sot ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, gjatë një videokonference të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.
Pistorius deklaroi se përpjekjet e Rusisë për intimidim dhe sulmet hibride nuk do të kenë sukses ndaj Ukrainës, Gjermanisë apo vendeve të tjera partnere.
Sipas tij, sjellja e Moskës po forcon vendosmërinë e vendeve evropiane për të mbrojtur paqen dhe lirinë në Evropë.
Ministri gjerman tha se ka vendosur të dërgojë në Ukrainë raketa interceptuese “PAC-2 Patriot” nga rezervat e vetë Gjermanisë.
Berlini do të rrisë gjithashtu furnizimet me raketa ajër-ajër, në përpjekje për të forcuar aftësinë e Ukrainës për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore.
Ndërkohë, Ukraina po porosit edhe disa mijëra raketa të tjera “Iris-T” nga Gjermania.
Financimi do të bëhet përmes huasë së mbrojtjes BE-Ukrainë.
Pistorius tha se prodhimi i këtyre raketave mund të rritet përmes ngritjes së një linje të re prodhimi.
Qëllimi kryesor i paketës së ndihmës është krijimi i një “mburoje” më të fuqishme kundër sulmeve ajrore ruse, në një kohë kur Rusia ka intensifikuar përdorimin e dronëve dhe raketave kundër objektivave në Ukrainë.
Gjermania do të financojë gjithashtu dhjetëra mijëra predha artilerie me rreze të gjatë veprimi.
Sipas Pistorius, municioni do të blihet në bashkëpunim me Britaninë e Madhe dhe më pas do t’i dorëzohet Ukrainës.
Vendimi i Berlinit vjen pak ditë pasi qeveria gjermane e bëri Rusinë përgjegjëse për një sulm të dështuar me dron në Leipzig, duke e cilësuar atë si pjesë të presionit dhe aktiviteteve hibride ruse ndaj Gjermanisë. /MXH
