BE-ja, Agjencia Franceze e Zhvillimit dhe Shqipëria shënuan sot nisjen e fazës së parë të një projekti të madh për përmirësimin e infrastrukturës së ujërave të ndotura të Durrësit në përputhje me standardet e BE-së, duke përmirësuar shërbimet sanitare për qytetarët, ndërkohë që e sjellin Shqipërinë më pranë anëtarësimit në BE.
Ky investim kombinon një grant të BE-së prej 85 milionë eurosh, të ofruar përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor, me një kredi sovrane prej 33.4 milionë eurosh nga Agjencia Franceze e Zhvillimit (AFD). Projekti do të zbatohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK).
Drejtori Ekzekutiv i AFD-së Christophe Lecourtier, ambasadorja e Francës në Shqipëri Catherine Suard dhe shefja e Bashkëpunimit të Delegacionit të BE-së në Shqipëri Ritva Heikkinen, së bashku me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi dhe kryetaren e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako vizituan vendndodhjen e projektit në Durrës. Punimet pritet të fillojnë në vitin 2027.
Shefja e Bashkëpunimit të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Ritva Heikkinen tha:
“Ky është një nga investimet më të mëdha të BE-së në grante në Shqipëri deri më sot, dhe ne presim me padurim të shohim ndikimin e tij në jetën e banorëve të Durrësit, si dhe në cilësinë e urjave të Detit Adriatik. Përmirësimi i infrastrukturës së ujërave të ndotura sipas standardeve të BE-së është një pjesë e rëndësishme e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe kërkon investime të konsiderueshme. Ky projekt është një hap i rëndësishëm përpara për trajtimin e nevojave shumë më të mëdha për investime mjedisore të Shqipërisë. BE-ja është e gatshme ta mbështesë Shqipërinë për përgatitjen e projekteve të arrira dhe mobilizimin e financimit të nevojshëm për t’i realizuar ato”.
Drejtori Ekzekutiv i AFD-së, Christophe Lecourtier tha:
“Jemi shumë krenarë që nisim këtë projekt të madh për qytetin e Durrësit, i cili do të përmirësojë ndjeshëm menaxhimin e ujërave të ndotura në një nga qytetet dhe destinacionet turistike më të rëndësishme të Shqipërisë. Duke përmirësuar impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura për t’i shërbyer deri në 340,000 banorëve, duke zgjeruar mbledhjen dhe trajtimin, si dhe duke i afruar shërbimet me standardet e BE-së, ky investim do të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët, shëndetin publik dhe mbrojtjen e bregdetit Adriatik.
Ai është një shembull i fuqishëm i asaj çka mund të arrijë Ekipi i Evropës kur Bashkimi Evropian, Franca përmes AFD-së dhe Shqipëria punojnë krah për krah. Ky projekt shënon një moment të rëndësishëm në partneritetin tonë me Shqipërinë, dhe Franca, përmes AFD-së, do të vazhdojë të qëndrojë përkrah vendit për ndërtimin e një të ardhmeje më të gjelbër, më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme”.
Rreth projektit
Aktualisht, vetëm rreth 20% e ujërave të ndotura të qytetit të Durrësit trajtohet në përputhje me standardet e BE-së, duke kontribuar në një ndotje të konsiderueshme të bregdetit Adriatik dhe kosto më të mëdha mjedisore, ekonomike dhe shëndetësore. Projekti do t’i adresojë këto sfida duke rritur mbledhjen dhe trajtimin e ujërave të ndotura me 85%, si dhe duke krijuar rrjete të ndara të ujërave të shiut dhe ujërave të ndotura në qendrën historike të qytetit. 100,000 banorë të rinj do të lidhen me rrjetet e kanalizimeve në Durrës, pasi kapaciteti i impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura të Durrësit do të përmirësohet në ekuivalentin e një popullsie prej 350,000 banorësh.
Gjithashtu, projekti do të kontribuojë drejtpërdrejt për përafrimin e Shqipërisë me standardet mjedisore evropiane sipas Kapitullit 27 të negociatave të anëtarësimit në BE. Nisja e tij vjen pas disa vitesh pune përgatitore. Në frymën e Ekipit të Evropës, BE-ja, Franca përmes AFD-së dhe Shqipëria kanë zbatuar së bashku dy projekte përgatitore, duke e sjellë investimin në pjekuri e nevojshme teknike dhe duke i hapur rrugën zbatimit të tij./monitor-ad
