Reperi i njohur Stresi ka ndarë një lajm të papritur me ndjekësit e tij në Instagram, ku njoftoi kthimin e disa këngëve të bllokuara prej kohësh në YouTube dhe një pauzë të përkohshme nga skena muzikore.
Shkak për pengimin e këtyre projekteve ishin bërë disa çështje teknike dhe procedura kontraktuale. “Sonte në 19:00 dalin disa këngë të miat që kanë qëndruar të bllokuara për arsye teknike dhe procedurash kontraktuale me YouTube. Më në fund janë aty ku duhet të jenë, te ju”, u shpreh artisti.
Në mesazhin e tij falënderues drejtuar mbështetësve, bashkëpunëtorëve dhe kritikëve, Stresi reflektoi mbi sfidat dhe arritjet e karrierës së tij: “Kam kaluar shumë gjëra në këtë rrugë. Kam rënë, jam ngritur, kam humbur njerëz, kam fituar njerëz… por një gjë nuk ka ndryshuar kurrë: respekti dhe dashuria për ata që më kanë qëndruar pranë”.
Largimi i tij nga muzika nuk do të jetë përfundimtar, pasi reperi planifikon të merret me angazhime të tjera profesionale. “Kjo nuk është lamtumirë. Thjesht po marr pak kohë për të ndërtuar diçka tjetër. Do të shihemi shumë shpejt”, përfundoi ai, duke lënë kuriozitet te publiku për hapat e tij të ardhshëm./mxh
