Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka folur për protestën qytetare që po vijon prej 102 ditësh, duke theksuar se në tubim marrin pjesë organizata, grupe interesi dhe parti të ndryshme politike.
Lapaj tha se ai dhe forca politike që drejton kanë nisur protestën më 8 dhjetor dhe se, sipas tij, protesta nuk është ndërprerë, por ka ndryshuar formë pas tërheqjes nga Kryeministria.
“Në lidhje me protestën, ne e kemi nisur më 8 dhjetor. Protesta nuk ka përfunduar asnjëherë dhe ditën që ne jemi tërhequr nga Kryeministria kemi thënë se do të ridimensionohet. Ju e mbani mend, besoj”, u shpreh Lapaj.
Ai tregoi se pas kësaj është nisur edhe mbledhja e 100 mijë firmave për një referendum, proces që sipas tij vijon çdo ditë.
“Pastaj kemi nisur mbledhjen e 100.000 firmave për referendumin, të cilin po e vazhdojmë ditë për ditë. Kemi kaluar tashmë 70 e kusur mijë, me gjithë kryesinë e me radhë. Çfarë dua të them, ne kemi angazhimin tonë të përditshëm”, tha ai.
Lapaj sqaroi se nuk është i pranishëm çdo ditë në protestë, por sipas tij, pjesëtarë të tjerë të lëvizjes vijojnë të marrin pjesë rregullisht.
Ai theksoi se në shesh ka grupe të ndryshme interesi, organizata dhe forca politike që, pavarësisht dallimeve, bashkohen rreth një qëllimi të përbashkët.
“Unë mendoj që aty janë grupe të ndryshme interesi, ndër të cilat jemi dhe ne. Grupe interesi quaj: ka organizata të ndryshme, ka organizatat e blegtorëve, të fermerëve, ka parti politike të tjera”, u shpreh Lapaj.
Lapaj: Në protestë ka edhe “infiltrime”
Duke folur për vijimin e protestës dhe atë që mund të ndodhë në shesh, Lapaj tha se prania e qytetarëve është fakt dhe se nuk është e nevojshme që qindra mijëra persona të jenë çdo ditë në protestë.
“Çfarë do të ndodhë në shesh do dalë një alibi apo do dalë një teori. Fakti është që populli është në shesh. Sigurisht që s’mund të rrinë 300.000 njerëz çdo ditë në shesh, sepse do të vazhdojë jeta”, tha ai.
Lapaj e cilësoi pjesëmarrjen si domethënëse dhe bëri të ditur se protesta e radhës do të zhvillohet më 12, ku sipas tij pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues nga diaspora.
“Po është një masë shumë domethënëse në shesh. Në datë 12 është protesta e radhës, që do vijnë dhe përfaqësues nga diaspora dhe mendojmë që do jetë masive dhe kjo është për t’u përgëzuar”, deklaroi ai.
Në vijim, Lapaj vlerësoi qytetarët që marrin pjesë në protestë, por bëri edhe pretendime për praninë e personave që, sipas tij, janë infiltruar nga grupe kriminale dhe shërbime shtetërore.
“Aty ka djem dhe vajza të shkëlqyer. Sigurisht që ka dhe infiltrime nga grupet e krimit dhe nga shërbimet absolutisht të shtetit shqiptar. I ka infiltruar shteti”, tha Lapaj.
Ai shtoi se nuk ka frikë nga prania e shërbimeve në protestë, duke argumentuar se lëvizja që ai drejton nuk kryen veprime antikushtetuese apo të paligjshme.
“Ne nuk kemi frikë se nuk bëjmë ndonjë gjë antikushtetuese dhe të paligjshme. Unë nuk kam frikë 1000 vjet dhe jo një, dy, tre, pesë të shërbimeve të vijnë aty, po 1.000, se unë nuk merrem me çështje antikushtetuese dhe antiligjore”, përfundoi ai./mxh
