Arjan Konomi ka treguar në një video të publikuar në Instagram se si, sipas tij, u largua sërish nga Top Channel, vetëm pak kohë pasi ishte përfolur si opinionist i “Për’puthen”.
“E keni parë të gjithë që portalet kanë shkruar, do isha opinionist në ‘Për’puthen’, e keni dëgjuar edhe nga unë. Ka qenë vetë ideja e drejtuesve të Top Channel që unë të mos isha pjesë e atij emisioni”, shprehet Konomi në video.
Ai thotë se drejtuesit e televizionit kishin tentuar ta bindnin për të marrë përsipër rolin, madje edhe me një pagë që, sipas tij, ishte “sa gjysma e asaj që ishte paguar me vite me radhë”. Megjithatë, pretendon se gjithçka ndryshoi pas debatit publik që pati me kryeministrin Edi Rama dhe qëndrimit të tij të hapur në mbështetje të protestave.
Përplasja mes Arjan Konomit dhe kryeministrit Edi Rama ndodhi në Vuno, pasi Konomi kritikoi parkimin e automjeteve të eskortës së kryeministrit. Sipas Konomit, ai kishte parë më herët banorë dhe turistë që gjobiteshin për parkim, ndaj kur pa makinat e eskortës të parkuara në një zonë ku, sipas tij, nuk lejohej parkimi, nisi ta filmonte situatën dhe i kërkoi Ramës “llogari”.
Në pamjet e publikuara nga kryeministri, Konomi dëgjohet t’i thotë Ramës: “Përse keni parkuar kundër tabelës, kryeministër? Ku është policia të të vërë gjobë? Do ca fiq?”. Situata u tensionua dhe Konomi pretendoi se pjesëtarë të eskortës i morën telefonin, ndërsa më pas ai u shoqërua në Komisariatin e Himarës.
Rama reagoi duke publikuar pamjet e incidentit dhe duke kundërshtuar versionin e Konomit. Kryeministri e akuzoi atë se po e paraqiste veten si viktimë, ndërsa, sipas Ramës, kishte shqetësuar dhe bullizuar bashkëshorten e tij, Linda Ramën, dhe djalin e tyre. Rama e cilësoi Konomin si “dhunues të lirisë së të tjerëve”, duke pretenduar se pamjet tregonin qartë se çfarë kishte ndodhur.
Sipas Konomit, pas kësaj situate ai mori një telefonatë nga zv.drejtorja ekzekutive e Top Channel, e cila, siç pretendon ai, i komunikoi në mënyrë “banale” se nuk do të ishte më pjesë e televizionit nëse vazhdonte të merrte pjesë në protestat aktuale dhe të mbante qëndrime politike. Konomi thotë gjithashtu se iu kërkua të mos fliste për këtë çështje në rrjetet sociale.
Por më shumë detaje ai ka dhënë në shkrimin që shoqëron videon, ku tregon se që prej 15 gushtit ishte kontaktuar nga Top Channel për të firmosur kontratën. Sipas versionit të tij, ditën kur ishte njoftuar për t’u paraqitur në xhirimet e reklamës së “Për’puthen”, rreth një orë më vonë iu komunikua se ishte pezulluar.
“Pastaj një SMS që xhirimi është shtyrë për një ditë tjetër… pastaj asgjë më”, shkruan Konomi.
Ai pretendon se më pas iu kërkua të mos shprehte qëndrime politike në rrjetet sociale dhe të mos merrte pjesë në protesta, pasi ishte imazh i televizionit. Kërkesën thotë se e refuzoi.
“Natyrisht nuk e pranova, pasi unë nuk bëj një emision politik, por dashurie, ku nuk ka lidhje fare qëndrimi im politik”, shkruan ai.
Në fund të gushtit qarkulluan lajme se Arjan Konomi do të rikthehej si opinionist në “Për’puthen”. Ai ka qenë pjesë e panelit të opinionistëve të këtij programi gjatë katër edicioneve të para, nga viti 2020 deri në vitin 2023.
Në dhjetor të vitit 2025, kur Konomi u rikthye në ekran si pjesë e “Big Brother Fan Club”, ai foli edhe për një episod të mëparshëm, duke pranuar se ishte penalizuar pasi kishte refuzuar të fshinte një postim kritik ndaj opinionistëve të “Big Brother VIP Albania”.
Në atë kohë, megjithatë, Konomi theksoi se nuk kishte pasur konflikt personal apo profesional me Top Channel dhe e quajti televizionin “shtëpinë” e tij, duke kujtuar se kishte mbi 20 vite që ishte pjesë e tij.
Tani, me videon e fundit, versioni i tij për marrëdhënien me Top Channel duket dukshëm më i ashpër. Në fund të shkrimit, Konomi e shtriu çështjen përtej rastit personal dhe e lidhi me lirinë e shprehjes, duke shkruar se do të vazhdojë të mbrojë të drejtën për të shprehur mendimin e tij.
“Për lirinë e fjalës dhe të mendimit, për lirinë e shprehjes dhe të opinionit do të luftoj derisa të kem frymë!”, përfundon ai./k.m
