Një oficere burgu në Britani është dënuar pasi u përfshi në një marrëdhënie intime me një të burgosur të dënuar për vrasje, ndërsa punonte në burgun HMP Manchester.
Samantha Stowell, 23 vjeçe, nisi një lidhje me Conor Dobson gjatë kohës që ushtronte detyrën si oficere burgu. Marrëdhënia zgjati rreth tre muaj dhe gjatë kësaj periudhe dyshja shkëmbeu një numër të madh mesazhesh, fotografish dhe videosh intime.
Në komunikimet e tyre, Stowell i shprehte ndjenjat e saj të burgosurit dhe e quante veten “princesha e tij e vogël”, ndërsa shpresonte që në të ardhmen të mund të ishin së bashku.
Edhe Dobson i shprehte hapur ndjenjat e tij. Në një prej mesazheve ai i kishte shkruar se sytë e saj e bënin të dashurohej, ndërsa Stowell i ishte përgjigjur se ai e bënte të lumtur.
Marrëdhënia nuk ishte vetëm emocionale. Sipas të dhënave të çështjes, rreth 1,200 paund u transferuan në llogarinë e oficeres përmes një personi tjetër. Paratë dyshohet se u përdorën për blerjen e dhuratave.
Skandali doli në dritë pasi punonjësit e burgut gjetën një iPhone gjatë kontrollit të qelisë së Dobson. Pas arrestimit të Stowell, policia kontrolloi telefonin e saj dhe zbuloi komunikimet mes të dyve.
Dobson po vuante dënimin për vdekjen e një 70-vjeçareje në një aksident automobilistik.
Përballë gjykatës, Stowell pranoi akuzën për keqpërdorim të detyrës publike dhe tha se kishte bërë një gabim. Ajo shpjegoi se vëmendja e të burgosurit e kishte bërë të ndihej mirë pas ndarjes nga partneri i saj.
Gjykata e dënoi me gjashtë muaj burg, por dënimi u pezullua për 24 muaj, duke bërë që ajo të shmangte vuajtjen e menjëhershme të dënimit pas hekurave.
Gjykatësi mori parasysh moshën e saj si rrethanë lehtësuese, por theksoi se marrëdhënia ishte “tërësisht e papërshtatshme”, ndërsa Stowell, për shkak të trajnimit që kishte marrë si oficere burgu, ishte në dijeni të kufijve që nuk duhej të kalonte.
Rasti ka rikthyer në vëmendje rrezikun e marrëdhënieve mes personelit të burgjeve dhe të dënuarve, veçanërisht kur këto marrëdhënie përfshijnë shkëmbim parash dhe komunikime të fshehta./MXH
