Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë ditën e sotme ministrja e Ekonomisë dhe inovacionit Delina Ibrahimaj njoftoi se do të vijojë kompensimi i naftës për transportin publik.
Vendimi është marrë në konsultim edhe me ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës.
“Ne kemi diskutuar gjerësisht çështjen e rritjes së naftës dhe kemi marrë vendim me se do të vazhdojmë subvencionimin për naftën për transportin publik për një periudhë të pambuluar.
Jemi duke u kujdesur për çmimet e naftës dhe siç kemi thënë edhe më parë do të hartojmë një pasqyrë të çmimeve me bazë javore për të nxitur konkurrencën dhe për të orientuar qytetarët. Bordi i Transparencës është një mekanizëm i krijuar për një periudhë afat shkurtër”, pohoi ministrja Ibrahimaj.
Pak ditë më parë operatorët e transportit publik zhvilluan një takim me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjetikës, ku u dakortësua për vijimin periudhës së kompensimit me vlerë 50 lekë për litër edhe për 4 muaj shtesë.
Që prej muajit maj shoqatat e transportit publik vijojnë të përsërisin shqetësimin për mospërballimin e kostove nga shtrenjtimi i çmimit të naftës dhe për kohëzgjatjen e periudhës për të përfituar 50 lekë për litër kompensim për naftën.
Sipas operatorëve, vijimi i kompensimit për 4 muajt e ardhshëm, për periudhën qershor-korrik-gusht dhe shtator do të mbështeste dhe do të garantonte qëndrueshmërinë e transportit publik dhe të shërbimit.
Për shkak të shtrenjtimit të çmimit të naftës operatorët përfituan subvencionim të naftës 50 lekë për litër për periudhën mars-maj./ad
