Last Updated on 11/09/2026 by Monika
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka njoftuar rikthimin e statujës së njohur si “Dea e Butrintit” në vendin ku u zbulua.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja shprehet se vepra e çmuar e trashëgimisë arkeologjike rikthehet pas një rrugëtimi nga Butrinti drejt Romës dhe më pas në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.
“Dea e Butrintit kthehet në shtëpi!”, shkruan ministri.
Sipas tij, rikthimi i Deas pasuron rrëfimin historik të Butrintit dhe u jep mundësi vizitorëve të shohin nga afër një prej dëshmive të rëndësishme të historisë, artit dhe trashëgimisë europiane.
Gonxhja theksoi se Butrinti ka regjistruar mbi 200 mijë vizitorë këtë vit, duke e cilësuar atë si një prej destinacioneve kryesore të turizmit kulturor në Shqipëri./mxh
