Last Updated on 11/09/2026 by Monika
Kryeministri Edi Rama ka folur pas një kohe të gjatë për raportin me ish-presidentin Ilir Meta, duke bërë edhe një reflektim mbi bashkëpunimin e tyre të dikurshëm politik.
Në një intervistë, Rama e përshkroi si një njeri që karakterizohej nga një mosbesim i thellë. Edhe pse nuk e përmendi drejtpërdrejt emrin e Ilir Metës, referenca duket e qartë, duke pasur parasysh se Meta ka qenë një nga aleatët dhe bashkëpunëtorët politikë të Ramës, me të cilin ndau edhe drejtimin e qeverisë në kuadër të koalicionit PS-LSI.
Duke folur për raportin mes besimit dhe kontrollit, Rama pranoi se vetë besimin e ka të theksuar, ndërsa kontrollin e konsideroi një nga dobësitë e tij.
“Unë te besimi e kam shumë të theksuar, te kontrolli e kam përgjithësisht dobësi. Kam njohur njerëz shumë dyshues, kam pasur në mënyrë të veçantë një bashkudhëtar për një kohë të caktuar të rrugës. Ishte njeri dhe është, por tashmë jo bashkudhëtar. Nuk ka rëndësi emri, vuante thellë nga dyshimi”, u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se, sipas tij, të jetosh me dyshime të vazhdueshme ka një kosto të lartë, por pranoi se në pozicione me përgjegjësi të mëdha, besimi i tepruar mund të kthehet gjithashtu në një problem.
“Gjithmonë kam besuar se të dyshosh tek të tjerët dhe të jetosh me dyshime ka një kosto të madhe. Por nganjëherë them që duhet, sidomos në pozicione që ke përgjegjësi, besimi i tepërt kthehet në një kosto që mund ta paguajnë edhe të tjerët”, tha Rama./mxh
