Njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, ka hapur një front të ri përplasjeje, këtë herë me krijuesit e dokumentarit katërorësh “Musk”. Nëpërmjet avokatit të tij të besuar, Alex Spiro, miliarderi ka kërcënuar zyrtarisht me gjyq regjisorin e njohur Alex Gibney dhe kompaninë “Jigsaw Productions”, duke i akuzuar se kanë ndërtuar një projekt me synime të paracaktuara për ta dëmtuar atë publikisht.
Mësohet se ekipi ligjor i Musk i ka dërguar regjisorit një paralajmërim zyrtar më 3 shtator. Pretendimi kryesor i avokatëve lidhet me insinuatat e dokumentarit rreth rrjetit satelitor Starlink dhe dyshimeve të ngritura se ai mund të jetë përdorur për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2024. Spiro ka sqaruar se Starlink nuk ka asnjë lidhje me procesin apo sistemet e numërimit të votave, duke e quajtur këtë pretendim një trillim të rrezikshëm.
Nga ana tjetër, shtëpia filmike ka reaguar duke mbrojtur punën e regjisorit Gibney. Sipas tyre, filmi bazohet tërësisht mbi fakte dhe gëzon mbrojtjen e Amendamentit të Parë për lirinë e shprehjes.
I shfaqur premierë në Festivalin e Filmit në Venecia, dokumentari përfshin intervista me njerëz të afërt të sipërmarrësit — përfshirë babain e tij Errol Musk, ish-bashkëshorten Justine Wilson dhe bashkëthemeluesin e Teslas, Martin Eberhard. Vetë Musk refuzoi të merrte pjesë në projekt, duke e cilësuar atë si një sulm të orkestruar, ndërsa regjisori Gibney u shpreh se gjatë xhirimeve përballej me dëshmitarë që kishin frikë të flisnin nga pushteti i miliarderit./mxh
