Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka përkujtuar 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, duke nderuar 2,977 viktimat që humbën jetën në Nju Jork, Virxhinia dhe Pensilvani.
Në orën 08:46 të mëngjesit, sipas orës lokale të Nju Jorkut, avioni i parë përplasej me Kullën Veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë, duke shënuar fillimin e një prej tragjedive më të rënda në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Në një mesazh të publikuar në Facebook, Ambasada amerikane në Tiranë tha se ndaloi në atë moment për të kujtuar të gjitha jetët e humbura 25 vite më parë, mes tyre edhe tre shqiptaro-amerikanë.
“Ne kujtojmë çdo jetë të humbur. Ne nderojmë ndihmësit e parë që vrapuan drejt rrezikut dhe familjet që e kanë mbajtur këtë humbje për një çerek shekulli. Nuk do ta harrojmë kurrë”, u shpreh E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn.
Mesazhi i Ambasadës vjen në një ditë përkujtimore, në të cilën Shtetet e Bashkuara nderojnë viktimat, heronjtë e parë të ndërhyrjes dhe familjet që, prej 25 vitesh, mbajnë peshën e asaj tragjedie./mxh
