Apple hyn më në fund në garën e telefonave të palosshëm me iPhone Duo, por Samsung nuk humbi kohë për t’i kujtuar rivalit të vjetër se po hyn me vonesë në një treg që kompanitë Android e kanë udhëhequr prej vitesh.
Gjatë eventit të Apple të mërkurën, ekipi i Samsung në SHBA publikoi një seri postimesh në rrjetet sociale, duke ironizuar prezantimin e iPhone-it të parë të palosshëm.
Goditja më e fortë erdhi përmes një postimi në X, ish-Twitter, ku Samsung shkroi:
“Na tregoni kur të keni mbaruar së ringrohuri mbetjet tona.”
Ndërsa në një tjetër postim thuhej:
“Na bëtë të prisnim? Në rregull. Ne do të jemi këtu duke u palosur në tre pjesë.”
Me këtë, Samsung iu referua faktit se Apple sapo ka prezantuar telefonin e saj të parë të palosshëm, ndërsa konkurrentët tashmë kanë avancuar drejt teknologjive më të sofistikuara, përfshirë ekranet që palosen në tri pjesë.
Samsung ironizoi edhe aksesorët e iPhone Duo:
“Aksesorë? Është si të kesh salca, por pa ushqim”.
Në një tjetër postim, kompania e përmblodhi gjithë situatën me vetëm katër fjalë:
“Deri tani, gjithçka njësoj.”
Arsyeja pse Samsung reagoi në këtë mënyrë lidhet me avantazhin e madh që kompania ka në tregun e telefonave të palosshëm.
Gjiganti koreano-jugor prezantoi Galaxy Fold-in e parë në vitin 2019. Gjatë shtatë viteve të fundit, kompani si Samsung, Google dhe Motorola kanë prezantuar disa gjenerata të telefonave të palosshëm dhe kanë përmirësuar vazhdimisht problemet e modeleve të para.
Ndër përmirësimet më të rëndësishme kanë qenë reduktimi i dukshëm i rrudhës në ekran dhe rritja e qëndrueshmërisë së pajisjeve.
Kompanitë kanë punuar gjithashtu për të zgjidhur një tjetër problem të rëndësishëm të telefonave të palosshëm: peshën e tyre.
Pavarësisht thumbimeve nga konkurrentët, Apple beson se hyrja e saj në treg do të sjellë një përvojë më të rafinuar për përdoruesit.
iPhone Duo synon të konkurrojë me modelet ekzistuese përmes dizajnit të hollë, përvojës së përdorimit dhe fokusit të fortë të Apple te privatësia dhe siguria e të dhënave./et
