Last Updated on 14/09/2026 by EL
Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me kërcënimin me jetë të gazetarit të News24, Osman Stafa, i cili mori një mesazh kanosës në rrjetet sociale me fjalët: “mbaje mend do të vras” dhe “këtë ta garantoj”.
Policia bën me dije se pas kallëzimit të gazetarit, ka bërë verifikimet e para, nga të cilat ka rezultuar se mesazhi dyshohet se është dërguar nga një llogari e falsifikuar.
Po ashtu në njoftim theksohen se rasti është referuar në Prokurori dosjen për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Përndjekja” dhe “Kanosja”, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e personit përgjegjës.
Njoftimi i policisë:
Strukturat e Policisë së Shtetit kanë referuar materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas kallëzimit të shtetasit O. S., 34 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka deklaruar se ka marrë një mesazh me përmbajtje kërcënuese në llogarinë e tij në një rrjet social.
Mesazhi dyshohet se është dërguar nga një llogari e falsifikuar. Në kuadër të veprimeve hetimore po punohet për identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurori, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Përndjekja” dhe “Kanosja”, të parashikuara nga nenet 186/a, 121/a dhe 84 të Kodit Penal.
Hetimet vijojnë në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personit përgjegjës.
Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të garantuar rendin dhe sigurinë, jetën dhe pronën e qytetarëve dhe, në veçanti, sigurinë e gazetarëve në ushtrimin e detyrës së tyre, duke reaguar ndaj çdo forme kërcënimi, intimidimi apo presioni që cenon sigurinë dhe lirinë e tyre për të ushtruar profesionin./ET
