Një oficer spanjoll i NATO-s, i cili shërbente në selinë aleate në Northuood të Britanisë së Madhe, u përball me masa sigurie dhe humbi aksesin në bazë, pas një martese me një grua të lindur në ish-Bashkimin Sovjetik.
Oficeri ishte i angazhuar në detyra që përfshinin ndjekjen dhe monitorimin e nëndetëseve ruse, si dhe të cisternave të lidhura me të ashtuquajturën “flotë e fshehtë” të Rusisë. Për shkak të natyrës së punës së tij, lidhja personale shkaktoi shqetësime brenda strukturave të sigurisë dhe çoi në hetime.
Gruaja kishte marrë pjesë në një festë Krishtlindjesh në bazën e NATO-s në Northuood dhe kishte vizituar gjithashtu selinë e NATO-s në Portugali. Situata u përshkallëzua pasi leja e hyrjes së oficerit në Northuood u revokua, ndërsa çifti më vonë tentoi të rikthehej në bazë.
Gruaja ka mohuar kategorikisht se ka qenë spiune. Megjithatë, ajo ka pranuar se gjatë një qëndrimi në Shën Petersburg është marrë në pyetje gjatë një takimi nga një person, që ajo e identifikon si oficer të FSB-së, me emrin Andrei.
Çështja tashmë ka kaluar edhe në planin ligjor. Gruaja ka ngritur padi kundër Ministrisë Britanike të Mbrojtjes, duke pretenduar se është diskriminuar për shkak të prejardhjes së saj dhe rrethanave të lidhjes me oficerin.
Rasti ka ngjallur shqetësime për mënyrën sesi institucionet e sigurisë trajtojnë marrëdhëniet personale të personelit që kanë akses në informacione të ndjeshme, veçanërisht kur përfshihen persona me lidhje ose prejardhje nga vende të konsideruara si kërcënim për sigurinë kombëtare./mxh
