Projekti me Bankën Botërore për rritjen e konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë klimatike të bujqësisë po përballet me vonesa të ndjeshme, ndërsa institucioni paralajmëron se një pjesë e aktiviteteve mund të ristrukturohen, të reduktohen ose edhe të anulohen nëse zbatimi nuk përshpejtohet.
Në raportin më të fundit të zbatimit, të datës 12 shtator, Banka Botërore vlerëson se “projekti ka përjetuar vonesa të konsiderueshme”, veçanërisht në investimet që lidhen me qendrat e vogla ushqimore, pikat e inspektimit kufitar dhe skemën e ujitjes në Divjakë. Sipas raportit, këto investime vijojnë të jenë “ndjeshëm prapa afateve”.
Banka paralajmëron se aktivitetet e vonuara përbëjnë rrezikun më të madh për zbatimin e projektit. “Nëse proceset e prokurimit nuk përshpejtohen dhe zbatimi i kontratave nuk ecën pa vonesa të mëtejshme, disa aktivitete mund të kërkojnë ristrukturim, racionalizim të objektit, rialokim fondesh dhe/ose anulim të pjesshëm”, thuhet në raport.
Projekti vijon të vlerësohet nga Banka Botërore si “mesatarisht i pakënaqshëm”, si për progresin drejt objektivave të zhvillimit, ashtu edhe për ecurinë e përgjithshme të zbatimit. Vlerësimi nuk ka ndryshuar nga raporti i mëparshëm.
Vonesat reflektohen edhe në nivelin e ulët të disbursimit. Nga financimi i rishikuar prej 74.88 milionë dollarësh, deri tani janë disbursuar 6.73 milionë dollarë, ose 8.99% e totalit. Rreth 68.15 milionë dollarë mbeten të padisbursuara. Kredia u bë efektive në shkurt 2024 dhe afati i mbylljes së projektit është 30 shtatori 2028.
Edhe treguesit kryesorë të rezultateve mbeten në nivele minimale. Deri në gusht 2026, shitjet e produkteve bujqësore nga fermerët përmes qendrave të vogla ushqimore ishin zero, kundrejt objektivit prej 6,000 tonësh deri në përfundim të projektit. Banka shpjegon se “qendrat e vogla ushqimore nuk janë ngritur ende dhe deri tani nuk janë gjeneruar shitje”.
Në ujitje, pjesa e fermerëve të lidhur me shërbimin publik me presion dhe sipas kërkesës mbetet gjithashtu zero, ndërsa objektivi është 80%. Sipas raportit, “punimet për rehabilitimin dhe modernizimin e skemave të ujitjes nuk kanë filluar ende”.
Projekti synon gjithashtu të sigurojë shërbime të reja ose të përmirësuara ujitjeje dhe kullimi në 12,300 hektarë, por deri në gusht 2026 sipërfaqja e përfituar ishte zero hektarë. Banka thotë se punimet e mbështetura nga projekti nuk kanë nisur ende dhe progresi varet nga përfundimi në kohë i projektimit, prokurimit dhe nisjes së punimeve.
Vonesa ka edhe në komponentin e sigurisë ushqimore. Nga gjashtë pika inspektimi kufitar që duhet të ngrihen ose modernizohen sipas standardeve ndërkombëtare, deri tani nuk është përfunduar asnjë. “Punimet për rehabilitimin dhe përmirësimin e pikave të inspektimit kufitar nuk kanë filluar ende”, thuhet në raport.
Numri i analizave të reja të kryera në laboratorët rajonalë të mbështetur nga projekti është po ashtu zero, kundrejt objektivit prej 1,000 analizash, ndërsa asnjë nga 75 punonjësit e laboratorëve të parashikuar për trajnim nuk rezulton ende i trajnuar.
Banka raporton se edhe platforma e inteligjencës së biznesit, që duhet të lidhet me sistemet ekzistuese të të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, nuk është ngritur ende. Progresi, sipas raportit, varet nga përfundimi në kohë i projektimit të sistemit, prokurimit dhe vënies së tij në funksion.
Në vlerësimin e rreziqeve, Banka Botërore e klasifikon si “të lartë” rrezikun që lidhet me kapacitetin institucional për zbatimin dhe qëndrueshmërinë e projektit, nga niveli “i ulët” në momentin e miratimit të tij në vitin 2023. /Monitor/k.m
