Nga vreshtat e Toskanës dhe fushat me livando të Provansës, te brigjet e ashpra të Skocisë dhe majat e Alpeve Franceze, Europa është shtëpia e disa prej rrugëve më spektakolare të çiklizmit në botë, sipas një studimi të ri.
Turizmi me biçikletë po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet, me një rritje prej 292% të kërkimeve në Google për termin “cycling holiday” (pushime me biçikletë).
Megjithatë, një udhëtim me biçikletë nuk ka të bëjë vetëm me mjetin e transportit, dhe një studim i ri ka zbuluar itineraret më të bukura në botë për çiklizëm.
Lajmi i mirë për dashamirësit europianë të biçikletave është se shumica e 15 rrugëve më të mira ndodhen në kontinent.
Studimi i realizuar nga platforma e rezervimeve të aventurave Explore përdori teknologjinë e gjurmimit të syrit për të analizuar reagimet e 200 pjesëmarrësve ndaj 52 rrugëve të njohura dhe tërheqëse të çiklizmit në mbarë botën.
Teknologjia mati sa shpejt secila rrugë tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve dhe sa gjatë arriti ta mbante atë. Këto të dhëna u kombinuan në një rezultat të ponderuar “tërheqjeje vizuale” nga 100 pikë, duke krijuar një renditje përfundimtare.
Rruga Bow Valley Parkway në Kanada, një itinerar panoramik me kthesa që lidh Banff me Lake Louise, ishte zgjedhja më e preferuar, duke marrë 97 pikë nga 100.
Ajo u pasua nga afër nga Great Ocean Road në Australi, në bregun jugperëndimor të Viktorias, e cila mori 94 pikë.
Pavarësisht se dy vendet e para ndodhen larg Europës dhe renditja përfshin katër kontinente, tetë nga 15 rrugët më të bukura të çiklizmit janë në Europë.
Destinacionet europiane dominojnë renditjen
Në vendin e tretë, me 91 pikë, janë rrugët mahnitëse të çiklizmit në Toskanë, Itali. Të njohura veçanërisht për garën profesionale njëditore që zhvillohet në pranverë, këto itinerare përfshijnë ngjitje mes pemëve të selvisë, vreshta aktive dhe qytete historike në majë të kodrave.
Me 90 pikë, në vendin e katërt renditet Elbe Cycle Route në Gjermani.
Rruga ndjek lumin Elbe për rreth 1,220 kilometra nga Çekia drejt Detit të Veriut. Ajo kalon përmes Saksonisë dhe Saksonisë-Anhalt, përshkon disa lande gjermane dhe kalon nëpër Hamburg, duke ofruar një udhëtim përmes qyteteve historike, zonave rurale dhe disa prej peizazheve më interesante të Gjermanisë lindore dhe veriore.
Në vendin e gjashtë, me 86 pikë, renditet Amsterdam Cycle Route 10. Holanda lidhet ngushtë me kulturën e biçikletave dhe një nga mënyrat më të mira për të eksploruar Amsterdamin është pikërisht përmes këtij mjeti.
Ky itinerar rrethor kalon pranë kanaleve, parqeve dhe lagjeve historike, përpara se të vijojë drejt zonave më të qeta rurale.
Në vendin e shtatë dhe të tetë, me përkatësisht 82 dhe 81 pikë, renditen Stelvio Pass në Itali dhe Provence Lavender Route në Francë.
Ndërsa Stelvio Pass njihet si një nga rrugët më të vështira të çiklizmit në botë dhe është e dyta më e larta në Alpe, Provence Lavender Route është një alternativë dukshëm më e lehtë.
Ky itinerar piktoresk është më i bukur gjatë verës, kur lulet e livandos janë në lulëzim. Rruga kalon përmes peizazheve kodrinore, fshatrave në majë të kodrave dhe fushave të mëdha me lule vjollcë në zonat Luberon dhe Plateau de Valensole.
Më pas renditja rikthehet te itineraret më sfiduese me North Coast 500 në Skoci, që ndodhet në vendin e 11-të me 78 pikë.
Duke nisur dhe përfunduar në Inverness, kjo rrugë është më shumë se 800 kilometra e gjatë dhe mund t’u kërkojë edhe çiklistëve më të përgatitur deri në pesë ditë për ta përfunduar. Pavarësisht vështirësisë, ajo shpërblen udhëtarët me bukurinë e egër të brigjeve skoceze.
Route des Grandes Alpes është një tjetër nga rrugët më të mëdha malore të Europës, që shtrihet nga Liqeni i Gjenevës deri në Mesdhe, përmes disa prej peizazheve më spektakolare të Alpeve Franceze.
Ajo renditet në vendin e 13-të me 78 pikë, po aq sa North Coast 500 në Skoci, dhe nuk është një itinerar i lehtë. Çiklistët përballen me maja të larta, lugina të thella, qafa malore dhe fshatra piktoreskë gjatë rrugës. Për shkak të segmenteve të gjata, me kthesa dhe shpesh të pjerrëta, ajo është më e përshtatshme për çiklistë me eksperiencë.
Destinacioni i fundit europian në 15-shen më të mirë është Lake Ohrid Circuit, në vendin e 14-të me 76 pikë. Ky itinerar përshkon rreth 90 deri në 96 kilometra dhe kalon një kufi ndërkombëtar mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Ata që e përshkojnë këtë rrugë mund të vizitojnë qytetet historike të Ohrit dhe Strugës, Manastirin e Shën Naumit pranë kufirit jugor, si dhe Pogradecin në anën shqiptare të liqenit. Për të përfunduar të gjithë itinerarin, udhëtarët duhet të kenë me vete pasaportën.
Renditja sipas rezultatit të “tërheqjes vizuale” nga 100:
1. Bow Valley Parkway (Banff–Lake Louise), Kanada – 97/100
2. Great Ocean Road, Australi – 94/100
3. Tuscany Gravel Routes, Itali – 91/100
4. Elbe Cycle Route, Gjermani – 90/100
5. Carretera Austral, Kili – 86/100
6. Amsterdam Cycle Route 10, Holandë – 86/100
7. Pacific Coast Highway, SHBA – 82/100
8. Stelvio Pass, Itali – 82/100
9. Provence Lavender Route, Francë – 81/100
10. Road to Hana, SHBA – 78/100
11. NC500 (North Coast 500), Skoci (Britani e Madhe) – 78/100
12. Route des Grandes Alpes, Francë – 78/100
13. Slickrock Trail, SHBA – 76/100
14. Lake Ohrid Circuit, Maqedoni e Veriut/Shqipëri – 76/100
15. Vancouver Seawall, Kanada – 75/100
/ Euronews
