Administrata Trump ka përmbysur politikën amerikane për klimën duke hequr kufizimet në emetimet e gazrave serrë nga termocentralet.
Vendimi anulon rregullat e dekarbonizimit që u vendosën në vitin 2024 nën udhëheqjen e Joe Biden dhe lehtëson përdorimin më të madh të qymyrit dhe gazit natyror për prodhimin e energjisë elektrike.
Masa u njoftua ditën e djeshme, në takimin e ministrave të energjisë së G20 në Hjuston të Teksasit, dhe përpiqet të kufizojë jo vetëm kuadrin aktual, por edhe mundësinë e vendosjes së rregulloreve të ngjashme në të ardhmen.
Sektori i gjenerimit të energjisë është përgjegjës për pothuajse një të katërtën e emetimeve të gazrave serrë në SHBA, një vend që historikisht ka kontributin më të madh kumulativ në ndotjen e ajrit.
Kreu i Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), Lee Zeldin, pohoi se administratat e Obamës dhe Biden kanë zhvilluar një “luftë kundër qymyrit” për më shumë se 15 vjet.
Ai tha se qëllimi i administratës Trump është të mbrojë sektorin e energjisë në SHBA dhe të sigurojë çmime të përballueshme të energjisë elektrike për familjet.
Vendimi vjen ndërsa SHBA-të kanë përjetuar verën e tyre më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë dhe po përballen me një thatësirë të përhapur.
Në të njëjtën kohë, konsumi i energjisë elektrike po rritet me shpejtësi, i nxitur nga rritja e inteligjencës artificiale dhe qendrave të të dhënave që kërkojnë shumë energji.
Administrata Trump po e përmend gjithashtu këtë rritje të kërkesës për të justifikuar rritjen e prodhimit nga burimet konvencionale./ad
