Last Updated on 15/09/2026 by Anisa
Presidenti amerikan Donald Trump ka publikuar pamjet e para të platformës së re të uljes së helikopterëve në Shtëpinë e Bardhë, një prej projekteve të shumta të rinovimit që ai ka urdhëruar për modernizimin e rezidencës presidenciale.
Heliporti i ri ka një diametër prej rreth 30 metrash dhe është realizuar me granit, në nuanca të së zezës dhe të bardhës. Në qendër të platformës është vendosur edhe një vulë presidenciale prej graniti të zi.
Trump e ka cilësuar projektin si një “vepër arti”, duke u shprehur krenar për rezultatin.
“Është punuar bukur nga graniti i gdhendur, në nuanca të së zezës dhe të bardhës”, shkroi presidenti amerikan në një postim në rrjetet sociale.
Trump pretendoi gjithashtu se platforma e re do të zgjasë “mbi një milion vjet”, ndërsa e lidhi projektin me vizionin e tij për rinovimin e Shtëpisë së Bardhë.
“Është një nder, në kohën time të lirë, të jem në gjendje të rikthej bukurinë dhe shkëlqimin e Shtëpisë së Bardhë në nivele të papara më parë, as kur u ndërtua në vitin 1792”, u shpreh ai.
Presidenti amerikan e kritikoi ashpër gjithashtu gjendjen e mëparshme të rezidencës presidenciale, duke thënë se ajo ishte lënë në gjendje të keqe gjatë administratave të mëparshme. “Tani është një pallat!”, deklaroi Trump.
Ndërkohë, në Shtëpinë e Bardhë vijojnë punimet për sallën e re të ballove, një projekt me vlerë të raportuar prej rreth 400 milionë dollarësh.
Projekti parashikon ndërtimin e një hapësire prej rreth 88 mijë metrash katrorë, në zonën ku ndodhej më parë Krahu Lindor, i cili u shemb me urdhër të Trump.
Sipas administratës amerikane, rreth 65% e punimeve kanë përfunduar dhe ekipet po punojnë me orare intensive, deri në 20 orë në ditë, shtatë ditë në javë.
Projekti është shoqëruar me polemika dhe është kundërshtuar edhe në rrugë ligjore. Punimet u ndaluan më herët nga gjykatat, përpara se Gjykata Supreme e SHBA-së të lejonte vazhdimin e tyre në mënyrë të përkohshme.
Administrata Trump ka bërë me dije se rreth 200 milionë dollarë në donacione private janë shpenzuar ose janë angazhuar tashmë për projektin./ad
