Gratë në Shqipëri janë më pranë burrave në ekonomi, arsim, shëndet dhe përfaqësim politik, por hendeku gjinor ende nuk është mbyllur plotësisht.
Shqipëria ka mbyllur 77.5% të hendekut gjinor dhe në vitin 2026 renditet në vendin e 25-të në botë, nga vendi i 36-të një vit më parë. Rezultati është përmirësuar me 1.2 pikë përqindje, ndërsa pozicioni në renditje është rritur me 11 vende.
Raporti u publikua nga Indeksi i Forumit Ekonomik Botëror (WEF), i cili mat diferencat mes grave dhe burrave në katër fusha: pjesëmarrjen dhe mundësitë ekonomike, arsimin, shëndetin dhe mbijetesën dhe fuqizimin politik. Rezultati 1 përfaqëson barazi të plotë, ndaj rezultati 0.775 i Shqipërisë do të thotë se vendi ka mbyllur 77.5% të hendekut të matur nga indeksi.
Shqipëria në krye të Ballkanit Perëndimor
Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria ka rezultatin më të lartë ndër ekonomitë e rajonit të përfshira në indeks. Serbia renditet e 39-ta në botë me rezultat 0.754, Bosnjë-Hercegovina e 62-ta me 0.723, Mali i Zi e 74-ta me 0.715 dhe Maqedonia e Veriut e 82-ta me 0.709.
Ndryshimi është veçanërisht i dukshëm në raport me Serbinë. Ndërsa Shqipëria është ngjitur me 11 vende në renditjen globale, Serbia ka zbritur 13 vende, nga e 26-ta në të 39-tën. Në klasifikimin europian, Shqipëria renditet e 16-ta nga 40 ekonomi, pas Sllovenisë dhe para Zvicrës. Në krye të Europës janë Islanda, Finlanda dhe Norvegjia.
Ekonomia është pika më e fortë, sidomos pagat e profesionistëve
Një nga rezultatet më të larta të Shqipërisë është në pjesëmarrjen dhe mundësitë ekonomike, ku vendi ka mbyllur 79.9% të hendekut dhe renditet i 12-ti në botë. Shqipëria renditet e para në botë për barazinë e pagave për punë të ngjashme dhe për përfaqësimin e grave në profesionet profesionale dhe teknike.
Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se gjatë viteve të fundit gratë në pozicionet drejtuese janë paguar më shumë sesa meshkujt. Për grup profesionin Drejtues administrativë dhe komercialë.
Në vitin 2025 gratë paguheshin 232 mijë lekë kundrejt 214 mijë lekëve për burrat, pra rreth 8% më shumë. Për profesionin Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë gratë u paguan 126 mijë lekë në 2025-n, 9% më shumë se burrat.
Sipas raportit të Forumit Ekonomik Global, në arsim, hendeku është mbyllur në 96.2%, ndërsa në shëndet dhe mbijetesë në 96.5%. Megjithatë, në fuqizimin politik diferenca është dukshëm më e madhe: Shqipëria ka mbyllur 37.3% të hendekut dhe renditet e 28-ta në botë.
Brenda këtij komponenti, rezultati për gratë në parlament është 52.2%, ndërsa për gratë në pozicione ministrore 85.7%. Përfaqësimi në parlament dhe në nivelet drejtuese mbetet kështu një nga fushat ku ka ende diferenca të rëndësishme.
Europa kryeson renditjen globale
Në nivel rajonal, Europa është në vendin e parë në botë, me 75.7% të hendekut gjinor të mbyllur në vitin 2026. Krahasuar me vitin 2006, rezultati i rajonit është përmirësuar me 7 pikë përqindje. WEF vlerëson se, me ritmin aktual, Europës do t’i duheshin rreth 70 vjet për të arritur barazi të plotë.
Në dhjetëshen e parë globale dominojnë ekonomitë europiane. Islanda kryeson me 93% të hendekut të mbyllur, e ndjekur nga Finlanda me 87.2% dhe Norvegjia me 85.7%.
Në dhjetëshen e parë janë gjithashtu Mbretëria e Bashkuar, Suedia, Gjermania dhe Irlanda. Europa ka arritur nivele shumë të larta në arsim dhe shëndetësi, ndërsa pjesa më e madhe e hendekut të mbetur lidhet me ekonominë dhe sidomos përfaqësimin politik. Në vitin 2026, rajoni ka mbyllur 99.5% të hendekut në arsim dhe 96.9% në shëndet e mbijetesë.
Në botë, hendeku mbyllet ngadalë
Raporti i vitit 2026 përfshin 145 ekonomi dhe tregon se në nivel global është mbyllur 69.2% e hendekut gjinor. Në kampionin e njëjtë të ekonomive të krahasueshme me vitin e kaluar, përmirësimi ishte 0.4 pikë përqindje. Megjithatë, asnjë ekonomi nuk ka arritur ende barazi të plotë.
Fushat ku bota është më pranë barazisë janë shëndeti dhe mbijetesa, me 96.2% të hendekut të mbyllur, dhe arsimi, me 96.9%. Ndërkohë, hendeku është shumë më i madh në pjesëmarrjen ekonomike, ku janë mbyllur 61.7% e diferencave, dhe veçanërisht në fuqizimin politik, me vetëm 22.1%.
Sipas WEF, nëse ritmi i përparimit të dy dekadave të fundit vazhdon, do të duhen rreth 120 vjet për të arritur barazi të plotë gjinore në nivel global. Ndërkohë, në 20 vitet e fundit, rezultati global është përmirësuar me 5.2 pikë përqindje në kampionin e 97 ekonomive që janë përfshirë në të gjitha edicionet që nga viti 2006.
Islanda mbetet ekonomia me rezultatin më të lartë, me 93%, dhe është e vetmja që ka mbyllur më shumë se 90% të hendekut. Në anën tjetër, hendeku ekonomik dhe ai politik vazhdojnë të jenë pengesat kryesore globale për arritjen e barazisë./monitor-ad
