Dyshja më ikonike e miqve në televizionin shqiptar janë padyshim Mimoza Ahmeti dhe DJ Bujaka.
Dy personazhe që në pamje të parë dukeshin krejt të ndryshëm, por që brenda “Ferma VIP” krijuan një nga miqësitë më të komentuara të edicionit të tretë.
Mes batutave, bisedave të gjata, lojërave, kërcimeve dhe një afërsie që u vu re që në ditët e para, Moza dhe Bujaka u kthyen në një dyshe të pandarë.
Të dy të veçantë, por po aq të ngjashëm në mirësinë që i karakterizon. Bujaka e shoqëroi Mozën në momentet e saj më të veçanta, ndërsa ajo, me karakterin e saj të drejtpërdrejtë, i dha marrëdhënies së tyre dozën e humorit dhe spontanitetit që publiku e pëlqeu aq shumë.
Por, siç thonë, një miqësi e vërtetë nuk shihet vetëm në ditët e mira.
Pak para finales, mes tyre pati një përplasje të fortë. Megjithatë, siç ndodh me miqësitë që kanë diçka të vërtetë brenda, edhe kjo krisje nuk zgjati shumë dhe ata e dëshmuan se miqësia e tyre nuk përfundoi me mbylljen e kamerave të “Ferma VIP”.
Pas përfundimit të saj, dy artistët, secili në stilin e vet, sollën një nga hitet më të pëlqyera të verës 2026.
Me art, muzikë dhe një miqësi të vërtetë, pa filtra, me sinqeritetin që i karakterizon, Bujaka dhe Moza ishin të ftuar në “Mes’dritë” në Vizion Plus, nën moderimin e Alma Çelajt, për të treguar më shumë për marrëdhënien dhe bashkëpunimin e tyre.
Moza: Pas Fermës jemi takuar shpesh me njëri-tjetrin për punë.
Bujaka: Ne me Mozën kemi një botë pak më interesante. Na kanë lidhur shumë gjëra, mbase s’i kam bërë as me kolegë të mi çfarë kam bërë me Mozën.
Moza: Unë te Bujaka kam gjetur një person që ka energji, ambicie dhe realitet veprimi. Mund t’i kesh këto, por nuk vepron. Përpara tij është gjithmonë një projekt. Njeriu duhet të shikojë aty ku shfaqet mundësia dhe Bujaka është një person që e kërkon mundësinë dhe ta jep mundësinë. E dua shumë dhe e konsideroj një mik e koleg pune shumë të mirë.
Bujaka tregoi edhe historinë se si lindi ideja për të bashkëpunuar me Mozën për këngën “Lule Mimoza”, të cilën ai thotë se e kishte përgatitur para dy vjetësh.
Bujaka: Kur kemi shkuar në Durrës me Mozën se kemi pasur një event, kur doja ta çoja në shtëpi e vendosa në makinë këngën ‘Lule Mimoza’. I pëlqeu shumë. Unë doja ta bëja me Mozën. I thashë edhe nëse nuk dëshiron, do ta nxjerr vetë. Ishte si manifest, sepse unë e kisha para dy vjetësh si këngë.
Moza rrëfeu se në fillim kishte hezituar të bëhej pjesë e projektit.
Moza: Unë hezitoja që të merrja pjesë. Dikush më tha, nga organizatorët e Fermës, që jemi në përpjekje për të bërë një bashkëpunim me Taynën. Tha: ‘E kam mbyllur albumin për këtë vit’. Pastaj vendosa të vazhdoja me Bujakën.
Ndërsa Bujaka vlerësoi edhe një herë lidhjen artistike me Mozën dhe la të hapur mundësinë për projekte të tjera mes tyre.
Bujaka: Moza e do artin, e do muzikën. Mund të prisni ndonjë album tani mes nesh. Unë kënaqem kur punoj me Mozën./mxh
