Last Updated on 16/09/2026 by EL
Në një ditë si kjo e kësaj të mërkure kur Gjykata Speciale vendosi që të dënonte me 81 vite burg në total ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fjalët e Rexhep Selimit në Kuvend vite më parë, marrin më tepër kuptim.
“Do t’i biem pishmanit, por do jetë vonë”, kështu deklaronte ai nga ulësja e Kuvendit të Kosovës duke i kërkuar Jakup Krasniqit, i cili asokohe mbante postin e kryetarit të Kuvendit që të mos lejonte votimin e rezolutës për ngritjen e Gjykatës Speciale në Kosovë.
“Kjo rezolutë është kundër interesave të qytetarëve të Kosovës. Kjo rezolutë është kundër Pavarësisë së Kosovës. Mos e lejoni, sot është mëngjesi më i rëndësishëm ëpr Kosovën, mos e lejoni sepse edhe ju edhe ne do t’i biem pishmanit por do të jetë vonë”, deklaronte ai.
Por pavarësisht kundërshtimeve dhe debateve të ashpra politike, Kuvendi i Kosovës më 3 gusht 2015 votoi ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë themelimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Amendamenti kushtetues u miratua me 82 vota pro, 5 kundër dhe një abstenim.
Ishte një prej vendimeve më të rëndësishme dhe më të debatueshme të pasluftës në Kosovë. Votimi i asaj dite do të krijonte institucionin që vite më vonë do të merrte në gjykim disa prej figurave kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mes tyre do të ishte edhe vetë Rexhep Selimi. Më nëntor 2020, Selimi u arrestua dhe u transferua në Hagë, së bashku me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin. Pas vitesh proces gjyqësor, sot më 16 shtator 2026, Gjykata Speciale shpalli aktgjykimin e shkallës së parë ndaj tyre.
Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Jakup Krasniqi me 25 vjet, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim./ET
