Last Updated on 16/09/2026 by EL
Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Mejdani, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin në shkallë të parë të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Përmes një postimi në Facebook, Mejdani ka shprehur qëndrimin e tij se vendimi nuk përbën fundin e procesit gjyqësor, duke theksuar se ndaj tij mund të bëhet apel.
Postimi i plotë i Mejdanit
Isha mbase tepër i ri kur Shqipëria, me babain tim, President të Republikës, hapi kufijtë dhe zemrën për refugjatët e Kosovës që iknin nga vrasjet, spastrimi dhe makina e terrorit të Millosheviçit.
Viti 1999 nuk është për mua vetëm histori.
Është kujtesë.
Kujtesa e një Shqipërie, por edhe e një Maqedonie të Veriut, që u bënë strehë e mburojë për qindra mijëra shqiptarë të Kosovës.
Kujtesa e një populli që luftonte për të mbijetuar, për të qenë i lirë, për të mos u zhdukur nga toka e vet.
Kujtesa e një kohe kur bota demokratike vendosi të mos qëndronte spektatore.
Njëzet e shtatë vjet më vonë, katër prej atyre guximtarëve që udhëhoqën Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës u dënuan sot në shkallë të parë.
Për mua, drejtësia nuk është dhënë.
Sot, si Ambasador i Shqipërisë në Shkup, kjo peshë ndihet edhe më trishtueshëm, mes një komuniteti shqiptar që këtë luftë nuk e ka mësuar në libra. Bijtë e tij e kanë luftuar. Familjet e tij kanë sakrifikuar. Ky komunitet e njeh mirë çmimin e lirisë, sepse e ka paguar vetë.
Shqiptarët e dinë mirë se liria nuk na u fal.
U fitua me gjak.
U mbrojt me sakrificë.
U bë e mundur me guximin e UÇK-së dhe me ndërhyrjen vendimtare të NATO-s.
Prandaj, sot qëndrojmë me dinjitet pranë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit dhe familjeve të tyre.
Ky aktgjykim nuk është fjala e fundit.
Është shkalla e parë.
Ka apel.
Dhe duhet drejtësi për çlirimtarët.
Besoj fort në drejtësi dhe besoj se ky aktgjykim duhet të rrëzohet.
Sepse historia jonë mbase mund të gjykohet.
Por kurrë nuk mund të rishkruhet./et
