Last Updated on 16/09/2026 by EL
Nga rrugët e Drenicës, në Rambuje, nga lufta për Kosovën te shpallja e pavarësisë dhe më pas në sallat e drejtësisë në Hagë. Historia e Hashim Thaçit është një prej rrugëtimeve më të fuqishme, por edhe më të debatueshme, të historisë së re të Kosovës. Një njeri që për dekada ka qenë në qendër të ngjarjeve që ndryshuan fatin e vendit , fillimisht si një prej figurave të UÇK-së, më pas si kryeministër, president dhe një nga protagonistët e pavarësisë.
Thaçi lindi më 24 prill 1968, në Drenicë, në një nga zonat që do të shndërroheshin në zemrën e rezistencës shqiptare në Kosovë. Që në adoleshencë u përfshi në lëvizjen për çlirimin kombëtar, ndërsa më vonë, si student në Universitetin e Prishtinës, u bë një nga figurat drejtuese të unionit studentor. Në vitin 1995 u largua drejt Zvicrës, ku iu bashkua diasporës kosovare dhe studioi histori e marrëdhënie ndërkombëtare në Zyrih.
Por rruga e tij politike do të merrte një kthesë vendimtare me shfaqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Thaçi u kthye nga diaspora dhe u bë një nga figurat e larta të UÇK-së, e cila në vitin 1997 nisi luftën guerile kundër forcave serbe.
Për shumë shqiptarë të Kosovës, kjo ishte kalimi nga një dekadë e rezistencës paqësore, që nuk kishte sjellë rezultatet e shpresuara, drejt një përballjeje të armatosur.
Gjatë luftës, Thaçi lëvizte shpesh në mënyrë të fshehtë brenda dhe jashtë Kosovës, duke i shpëtuar forcave serbe. Pikërisht aftësia për t’u shmangur ndjekjeve i dha pseudonimin që do ta shoqëronte për vite: “Gjarpri”.
Në vitin 1999, emri i tij u shfaq në qendër të diplomacisë ndërkombëtare. Në Rambuje, në Francë, Thaçi drejtoi delegacionin kosovar në negociatat për një marrëveshje që synonte t’i jepte fund luftës. Delegacioni shqiptar e pranoi planin e ndërmjetësuar nga Perëndimi, ndërsa Beogradi e refuzoi. Pak javë më vonë, NATO nisi fushatën 78-ditore të bombardimeve kundër Jugosllavisë, e cila përfundoi me tërheqjen e forcave serbe nga Kosova.
Pas luftës, Thaçi kaloi nga fronti në politikë. Ai themeloi Partinë Demokratike të Kosovës, forcën kryesore politike të dalë nga strukturat e UÇK-së, dhe u shfaq si një prej figurave më të rëndësishme të skenës së re politike kosovare.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2007, PDK-ja doli forcë fituese dhe në janar 2008 Thaçi u konfirmua kryeministër. Vetëm pak javë më vonë, më 17 shkurt 2008, në një moment historik për Kosovën, ishte pikërisht Hashim Thaçi ai që shpalli pavarësinë nga Serbia.
Por paralelisht me këtë histori suksesi, mbi figurën e tij nisën të rëndonin edhe akuza të rënda. Në vitin 2010, një raport i porositur nga Këshilli i Evropës e akuzoi Thaçin për lidhje me një rrjet kriminal që dyshohej për vrasje dhe trafikim organesh gjatë dhe pas luftës. Thaçi i mohoi akuzat dhe, pavarësisht bujës ndërkombëtare, nuk u ngrit një çështje penale për trafikimin e pretenduar të organeve.
Në vitin 2016, Thaçi u zgjodh president i Kosovës. Por vetëm pak vite më vonë, historia e tij politike mori një tjetër kthesë. Nën presionin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, Kosova kishte krijuar në vitin 2015 një gjykatë të posaçme për hetimin e akuzave për krime lufte të lidhura me UÇK-në.
Në nëntor 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi aktakuzën ndaj Hashim Thaçit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai dha dorëheqjen nga posti i presidentit dhe u transferua në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Ne procesin gjyqësor që zgjati 3 vite, Hashim Thaçi i cili qëndron prej 6 vitesh në paraburgim, është deklaruar i pafajshëm nga të gjitha akuzat që i ngarkohen.
Fotot e Thaçit dhe të ish-pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së janë shfaqur kudo në Kosovë, shpesh të shoqëruara me një mesazh që tregon se si një pjesë e madhe e shoqërisë kosovare e sheh figurën e tyre: “Heronj të luftës dhe të paqes.”/et
