Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi me tarifa të rënda dhe madje kufizime në tregtinë me Bashkimin Evropian, në reagimin e tij ndaj propozimit të presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen që Kanadaja të bëhet “anëtarja e parë e asociuar” e BE-së.
Presidenti amerikan e përshkroi propozimin si “qesharak”, ndërsa la të kuptohej se reagimi i Uashingtonit do të varej nga qëllimet që ai u atribuon evropianëve.
“Nëse është një akt armiqësor, do të vendos tarifa shumë të larta. E gjej qesharake”, tha Trump, kur u pyet nga gazetarët në lidhje me propozimin e paraqitur nga presidenti i Komisionit Evropian.
“Nëse e bëjnë këtë, dhe nëse e konsideroj si një akt armiqësor, do të vendos tarifa shumë të rënda ose do t’i jap fund tregtisë me Evropën në shumë fusha. Nëse kanë qëllime të mira, shkëlqyeshëm. Nëse kanë qëllime të këqija, ne do të vendosim tarifa shumë të rënda ndaj Evropës”, paralajmëroi ai.
Trump sulmoi gjithashtu Kanadanë, duke e përshkruar atë si një “partner tregtar të tmerrshëm” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ursula von der Leyen propozoi, gjatë fjalimit të saj për Gjendjen e Unionit, të hapte rrugën që Kanadaja të bëhej “anëtari i parë i asociuar” i BE-së, brenda kuadrit të një bashkëpunimi shumë më të ngushtë në tregti, mbrojtje, teknologji, energji, lëndë të para kritike dhe Arktik.
Kryeministri kanadez Mark Carney, në mes të konfrontimit tregtar me Shtetet e Bashkuara, ka deklaruar se Ottawa kërkon të ndërtojë një “aleancë unike” me Bashkimin Evropian, pa kërkuar anëtarësim të plotë në bllok./k.m
