Last Updated on 17/09/2026 by EL
Avokatët e Sean “Diddy” Combs kanë kërkuar zyrtarisht të tërhiqen nga përfaqësimi i tij në një padi për shpifje, duke pretenduar se producenti i muzikës u ka mbetur borxh për tarifat ligjore prej më shumë se gjashtë muajsh.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga Daily Mail, firma Sher Tremonte LLP ka paraqitur një mocion për t’u tërhequr nga çështja që Combs ka ngritur kundër Courtney Burgess, Ariel Mitchell dhe Nexstar Media Inc., kompania mëmë e NewsNation.
Avokati Michael Tremonte, partner në këtë firmë, pretendon se Combs ka krijuar “debite të konsiderueshme” për shërbimet ligjore dhe se përfaqësimi i tij është bërë jashtëzakonisht i vështirë për shkak të mungesës së bashkëpunimit.
“Z. Combs ka debite të konsiderueshme ndaj Sher Tremonte për tarifat ligjore”, shkroi Tremonte në dokumentet e dorëzuara në gjykatë.
Sipas avokatit, firma ka vijuar të ofrojë shërbime ligjore, ndërsa Combs nuk ka bërë asnjë pagesë për më shumë se gjashtë muaj. Pagesa e fundit, sipas dokumenteve, lidhej me tarifat dhe shpenzimet e krijuara në fund të vitit 2025.
Firma pretendon gjithashtu se një pjesë e konsiderueshme e shumës së papaguar përfshin fatura që kanë kaluar më shumë se 90 ditë pa u shlyer.
Por problemi nuk lidhet vetëm me paratë. Avokatët pretendojnë se mes tyre dhe Combs ka pasur një “ndërprerje të plotë të bashkëpunimit dhe komunikimit”, duke thënë se ai nuk ka qenë i disponueshëm për më shumë se katër muaj për komunikim të drejtpërdrejtë dhe në kohë lidhur me çështjet e tij ligjore.
Sipas firmës, kjo situatë e ka bërë tepër të vështirë përfaqësimin e producentit dhe ka kufizuar aftësinë e avokatëve për t’i ofruar shërbime efektive./et
