Me të atin nuk komunikon prej vitesh, ndërsa tani po ndërton karrierën e saj larg mbiemrit Musk
Nëse ditët e fundit ju ka dalë në rrjetet sociale fushata e re e Desigual, me sloganin Born to Disobey, ka shumë gjasa t’ju ketë tërhequr vëmendjen edhe protagonistja e saj.
Në qendër të fushatës ndodhet Vivian Jenna Wilson, vajza transgjinore e Elon Musk dhe shkrimtares kanadeze Justine Wilson. Zgjedhja e saj nuk duket e rastësishme: fushata luan me idenë e rebelimit ndaj teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, ndërsa në skena shfaqet edhe një robot humanoid që sjell ndër mend robotët e Teslas.
Nga hija e mbiemrit Musk drejt identitetit të saj
Vivian është një nga fëmijët që Elon Musk ka me ish-bashkëshorten Justine Wilson. Vitet e fundit ajo ka folur hapur për marrëdhënien e vështirë me të atin, duke thënë se ai ishte kryesisht i largët gjatë fëmijërisë së saj.
Në vitin 2020 ajo bëri publike identitetin e saj si grua transgjinore, ndërsa dy vjet më vonë ndryshoi ligjërisht emrin dhe mori mbiemrin e së ëmës, Wilson. Në kërkesën për ndryshimin e emrit kishte deklaruar se nuk dëshironte të kishte më lidhje me të atin. Që atëherë, marrëdhënia mes tyre është karakterizuar nga deklarata publike kritike nga të dyja palët.
Musk ka bërë publikisht deklarata për tranzicionin e saj, të cilat Vivian i ka kundërshtuar dhe i ka cilësuar si të pavërteta.
Getty Images via AFP
Moda po bëhet rruga e saj
Megjithëse publiku fillimisht e njohu për shkak të konfliktit familjar, Vivian gradualisht po ndërton një identitet profesional të pavarur.
Një hap i rëndësishëm ishte kopertina e Teen Vogue në mars të vitit 2025, ku ajo pati mundësinë të fliste për veten, interesat dhe ambiciet e saj, jo vetëm për marrëdhënien me të atin.
Pak muaj më vonë realizoi një fushatë për markën amerikane Wildfang, ndërsa një pjesë e projektit lidhej edhe me mbështetjen për The Trevor Project, organizatë që ndihmon të rinjtë LGBTQ+.
Në shtator 2025 bëri debutimin në Javën e Modës në New York, duke u paraqitur në sfilata të Alexis Bittar, Prabal Gurung, Dauphinette dhe Chrishabana.
Më pas erdhi një tjetër hap i rëndësishëm: paraqitja në pasarelën e Gucci në Milano, e veshur me një krijim të bardhë nga koleksioni i Demnas. Gucci e angazhoi sërish disa muaj më vonë për një sfilatë në New York.
Fushata provokuese e Desigual
Angazhimi më i ri i Vivian është fushata Born to Disobey e Desigual.
Në të, ajo shfaqet pranë robotit humanoid DESI 84, i konceptuar si një ndihmës teknologjik i përsosur që, megjithatë, vazhdimisht dështon në detyrat që i caktohen. Vivian e përdor si kopshtar, e shëtit me rrip dhe në një skenë madje e tërheq për këmbësh nëpër dysheme.
Mesazhi është i qartë: teknologjia mund të synojë përsosmërinë, por krijimtaria, emocionet dhe individualiteti njerëzor nuk janë aq të lehta për t’u zëvendësuar.
Edhe koleksioni ndjek të njëjtën filozofi, me kombinime të guximshme ngjyrash, motive kafshësh e lulesh, xhins asimetrik dhe forma që refuzojnë formulat e sigurta të modës.
Vivian ka thënë se pikërisht ky maksimalizëm lozonjar ishte një nga arsyet që e tërhoqi drejt bashkëpunimit, krahas mundësisë për të ngritur pyetje rreth ndikimit të inteligjencës artificiale në profesionet krijuese.
Përpiqet të mos përcaktohet nga mbiemri i të atit
Vivian flet gjithashtu hapur për privilegjet me të cilat është rritur. Ajo ka përmendur kontrastin mes pasurisë së madhe që e rrethonte dhe varfërisë që shihte në rrugët e Los Angelesit.
Sipas deklaratave të saj, ajo është financiarisht e pavarur nga Musk që nga viti 2020 dhe përpiqet të mbështetet gjithnjë e më shumë në punën e vet. Ka folur publikisht edhe për shpenzimet e studimeve, jetën me bashkëbanues dhe përditshmërinë e saj, e cila, sipas saj, është larg asaj që shumë njerëz imagjinojnë kur dëgjojnë mbiemrin Musk.
Nga kopertinat dhe fushatat deri te pasarelat e markave të mëdha, Vivian Wilson po përpiqet ta zhvendosë vëmendjen nga pyetja se vajza e kujt është, drejt asaj se çfarë po ndërton vetë në botën e modës.

