Këngëtari italian Al Bano Carrisi është përballur me kritika në rrjetet sociale pas koncertit të tij në Tel Aviv, me rastin e festimeve për Rosh Hashanah, Vitin e Ri hebraik. Koncerti u zhvillua në Charles Bronfman Auditorium.
Kritikat lidhen me vendimin e artistit për të performuar në Izrael ndërsa konflikti në Gaza vijon. Pas publikimit të videove nga koncerti në rrjetet sociale, disa përdorues kritikuan edhe interpretimin e këngës së tij “Felicità”.
Në përgjigje të komenteve, Al Bano tha se e kupton shqetësimin e ngritur për performancën e tij dhe theksoi se për të muzika është një gjuhë universale që mund të bashkojë njerëz me kombësi, kultura dhe besime të ndryshme.
“Besoj se muzika nuk njeh kufij. Ajo flet një gjuhë universale, e aftë të bashkojë njerëz të çdo kombësie, kulture dhe besimi”, u shpreh këngëtari.
Al Bano shtoi se prania e tij në Tel Aviv synonte të ishte një gjest afërsie njerëzore, i frymëzuar nga paqja dhe dhembshuria.
“Në një botë të ndarë, muzika vazhdon të jetë një urë”, shkroi ai, duke shtuar se dëshiron ta mbajë këtë urë të hapur përmes muzikës së tij, me synimin për të përcjellë mirëkuptim, miqësi dhe shpresë./mxh
