Hillside Beach Club, një resort me 330 dhoma në bregdetin e Fethiye-s është bërë i njohur për një tregues të pazakontë: përqindja e lartë e pushuesve që rikthehen vit pas viti.
Në vitin 2016, resorti u bë objekt i një studimi të Harvard Business School, i cili evidentonte se 65% e klientëve riktheheshin, ndërsa niveli i kënaqësisë arrinte në 99%, sipas sondazheve të brendshme.
Vitin e kaluar, norma e rikthimit arriti në 72%.
Resorti, i hapur në vitin 1994 në gjirin Kalemya pranë Fethiye-s, sapo ka përfunduar një rinovim të plotë.
Megjithatë, drejtuesit e tij thonë se suksesi nuk mbështetet vetëm te luksi apo infrastruktura, por te krijimi i një atmosfere ku familjet mund të kalojnë kohë së bashku.
Aktivitetet përfshijnë volejboll në plazh, gara noti, gjuajtje me hark, badminton, punëtori për krijimin e bizhuterive, koncerte dhe programe të shumta për fëmijët.
Ndryshe nga shumë resorte luksoze që fokusohen te privatësia dhe izolimi, Hillside është konceptuar për të nxitur ndërveprimin mes pushuesve.
Një tjetër element është siguria.
Brenda resortit nuk ka rrugë apo makina golfi dhe prania e stafit është e vazhdueshme, duke u dhënë edhe fëmijëve më të vegjël mundësi për më shumë pavarësi.
Hillside funksionon me konceptin “all-inclusive”, duke eliminuar pagesat shtesë dhe nevojën për rezervime në shumicën e ambienteve të ushqimit.
Mëngjesi, dreka dhe darka shërbehen në restorantin kryesor në formë bufeti, me gatime lokale dhe ndërkombëtare, ushqime deti të përgatitura sipas porosisë dhe pica në furrë druri.
Për fëmijët e vegjël ofrohet edhe shërbimi “Baby Chef”.
Resorti ndodhet përballë një plazhi me certifikimin “Blue Flag”, të rrethuar nga pisha, ndërsa dy plazhe të tjera, Serenity dhe Silent Beach, janë vetëm për të rritur.
Oferta plotësohet nga qendrat Sanda Nature Spa dhe Sanda Day Spa, me trajtime balineze, hamam tradicional turk, sauna dhe ambiente relaksi.
Sipas resortit, përgjigjja më e shpeshtë e klientëve kur pyeten pse rikthehen është e thjeshtë: “Ndihem mirë”.
Për shumë prej tyre, rikthimi është kthyer në traditë familjare.
Disa familje kanë kaluar pushimet në Hillside për më shumë se një dekadë, ndërsa një prej pushuesve të intervistuar kishte 18 vjet që kthehej rregullisht. / Travel + Leisure-ad
