Nga Leonard Veizi
Më 19 shtator 1985, Siena u zgjua më e boshatisur se zakonisht. Ishte shuar në moshën 61-vjeçare, pas një iktusi, Italo Kalvino. Nuk ishte thjesht vdekja e një shkrimtari, ishte humbja e një udhërrëfyesi. Një zë i kthjellët i letërsisë europiane që dinte të hidhte dritë mbi labirintet e mendjes.
Ka plot shkrimtarë që janë përpjekur ta shpjegojnë botën. Kalvino bëri të kundërtën: e çmontoi në copa të vogla dhe na e ktheu në një formë që nuk e kishim parë kurrë.
Lindi më 15 tetor 1923 në Santiago de Las Vegas, pranë Havanës në Kubë, ku prindërit e tij, të dy shkencëtarë të natyrës – i ati agronom, e ëma botaniste dhe pedagoge – punonin përkohësisht. Dy vjet më vonë familja u kthye në Itali dhe u vendos në Sanremo. Ndoshta nuk është rastësi që te Kalvino letërsia do të lidhej më vonë kaq natyrshëm me shkencën, matematikën, biologjinë, kozmologjinë dhe idenë e strukturës.
Rinia e tij përkoi me periudhën më të errët të fashizmit dhe të Luftës së Dytë Botërore. Kalvino mori pjesë direkt në Rezistencën partizane antifashiste. Kjo përvojë e hidhur nuk e çoi në kullën e fildishtë, por në zemër të historisë. Romani i tij i parë, Il sentiero dei nidi di ragno – “Shtegu i foleve të merimangës” (1947), e solli luftën përmes syve të një fëmije, me një gjuhë të thjeshtë, poetike dhe të ashpër njëkohësisht. Ishte Kalvino neorealist, që ende besonte se duhej dëshmuar bota konkrete.
Por ai nuk qëndroi gjatë aty. Shqetësimi i tij ishte se realiteti ishte shumë i madh për t’u rrëfyer vetëm me realizëm.
Atëherë e zhvendosi historinë në territorin e përrallës, alegorisë dhe fantazisë. Kështu lindi trilogjia që më vonë do të mblidhej me titullin I nostri antenati – “Paraardhësit tanë”: Il visconte dimezzato – “Vikonti i përgjysmuar”, Il barone rampante – “Baroni në pemë” dhe Il cavaliere inesistente – “Kalorësi që nuk ekziston”.
Në dukje janë përralla. Në thelb janë pyetje për njeriun. Njëri është i përgjysmuar. Tjetri vendos të jetojë gjithë jetën mbi pemë, duke mos zbritur më kurrë. I treti është një kalorës pa trup, një armaturë bosh që ecën. Kalvino merr absurden dhe e përdor si pasqyrë. Sa më e pamundur të jetë situata, aq më e dukshme bëhet diçka që në jetën e zakonshme e fshehim pas zakoneve dhe institucioneve.
Pastaj shkrimtari u largua edhe më shumë nga toka.
Te “Le cosmicomiche” – “Kozmikomiket”, – botuar në vitin 1965, – shkenca bëhet lëndë e parë letrare. Një formulë, një teori mbi origjinën e universit apo një fenomen natyror shndërrohet në një histori njerëzore, ironike dhe fantastike. Kalvino nuk bën shkencë; ai imagjinon me anë të shkencës.
Dhe pastaj vjen libri që e përmbledh më mirë se çdo tjetër magjinë e tij: “Le città invisibili” – “Qytetet e padukshme” botuar në vitin 1972. Marco Polo i rrëfen Kublai Khanit 55 qytete që nuk ekzistojnë. Por ato nuk janë prej guri dhe rrugësh. Ato janë kujtime, dëshira, frika, koha, vetmia, vdekja, gjuha. Kalvino nuk ndërton qytete. Ai ndërton mënyra për t’i parë ato. Në të njëjtën linjë vjen edhe “Il castello dei destini incrociati” – “Kështjella e kryqëzuar e fatit” botuar në vitin 1973, ku fati lexohet përmes letrave të tarotit.
Nëse te Qytetet e padukshme zhduket qyteti, te “Se una notte d’inverno un viaggiatore” – “Nëse një natë dimri një udhëtar” botuar në vitin 1979 zhduket vetë romani. Lexuesi bëhet personazh. Nis të lexojë një roman, romani ndërpritet, fillon një tjetër, edhe ai ndërpritet. Letërsia fillon të flasë për vetveten: për aktin e leximit, për pritjen, për dëshirën për të ditur se çfarë ndodh më tej. Ky është një nga truket e tij më të bukura: ai nuk e fsheh mekanizmin e letërsisë. E nxjerr në dritë dhe e bën pjesë të lojës.
Këtë lojë të rëndë e bënte të dukej e lehtë. Jo rastësisht në Paris u afrua me grupin Oulipo, rrethi letrar që eksperimentonte me kufizimet dhe rregullat si mënyrë për të prodhuar liri të reja. Për Kalvinon, kufizimi nuk ishte burg, ishte drejtim për imagjinatën. Këtu shpjegohet paradoksi i tij: shkruan me lehtësi, qartësi dhe ekonomi absolute të fjalës, por pas kësaj lehtësie fshihet një arkitekturë e ndërlikuar, gati matematikore.
Në fund të jetës po përgatiste atë që do të mbetej testamenti i tij poetik: Lezioni americane. Sei proposte per il prossimo millennio – “Gjashtë propozime për mijëvjeçarin e ri” – lehtësia, shpejtësia, saktësia, dukshmëria, shumëfishësia. Vdekja e ndërpreu para se t’i mbante në Harvard.
Është e vështirë ta mbyllësh Kalvinon në një etiketë: realist, fabulist, modernist, postmodernist, fantastik, eseist. Ai i përdori të gjitha si mjete.
Më saktë duhet quajtur arkitekt i imagjinatës.
Sepse ai nuk shkroi thjesht histori. Ndërtoi mekanizma letrarë ku lexuesi humbet dhe, çuditërisht, pikërisht duke humbur gjen diçka për veten. Na mësoi se një qytet mund të jetë një kujtim, se një pemë mund të bëhet një botë, se një teori për universin mund të shndërrohet në përrallë dhe se një libër mund të bëhet personazh i librit që po lexojmë.
Kalvino nuk e zvogëloi botën për ta bërë të kuptueshme. E bëri edhe më të madhe, duke na treguar sa shumë botë fshihen brenda saj. Dhe pikërisht për këtë, çdo faqe e tij mbetet një qytet i padukshëm që vazhdon të na ftojë, të na habisë dhe të na udhëheqë.
