Johnny Depp nuk është vetëm aktori që ka mishëruar disa prej personazheve më të paharrueshme të kinemasë. Mes roleve ikonike dhe vëmendjes së pandërprerë të publikut, ai ka gjetur një tjetër mënyrë për t’u shprehur, përmes artit.
Aktori i nominuar për Oscar prezantoi në Shangai ekspozitën e tij “Johnny Depp: A Bunch of Stuff Presents Figures of the Fringe”, e cila është ekspozuar në Muzeun e Artit Modern (MAM) dhe shënon prezantimin e parë të veprës së tij artistike në Kinë.
Depp, i cili ka sjellë në jetë në ekran personazhe të paharrueshme duket se i ka transferuar disa prej “botëve” dhe figurave që e kanë shoqëruar gjatë karrierës edhe në krijimtarinë e tij artistike.
Ekspozita përqendrohet në disa tema që duket se kanë një rëndësi të veçantë për aktorin, mes tyre “Heronjtë dhe idhujt”, “Të dashuruarit dhe muzat”, si dhe “Maskat dhe portretet”.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 13 dhjetor, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të njohin një tjetër dimension të krijimtarisë së aktorit të njohur.
Sipas ARTnews, aktori planifikon të zhvillojë një “udhëtim kulturor” nëpër Kinë, me synimin për të zbuluar nga afër trashëgiminë e pasur kulturore të vendit, artin bashkëkohor dhe traditat lokale.
Ndërsa po eksploron gjithnjë e më shumë botën e artit, Johnny Depp do të rikthehet gjithashtu në kinema. Aktori do të interpretojë personazhin e famshëm Ebenezer Scrooge në filmin “Ebenezer: A Christmas Carol”, një produksion i Paramount Pictures./mxh
