Last Updated on 22/09/2026 by EL
Një defekt teknik në pajisjet e Administratës Federale të Aviacionit (FAA) ka shkaktuar kaos në trafikun ajror në verilindje të Shteteve të Bashkuara, duke sjellë vonesa të mëdha dhe anulime të shumta fluturimesh.
Ndalime të përkohshme të nisjeve dhe mbërritjeve, të njohura si “ground stops”, janë vendosur në gjashtë aeroporte, Newark Liberty, Philadelphia International, John F. Kennedy, LaGuardia, Teterboro dhe Westchester County.
Sipas të dhënave të Flightradar24, në aeroportin Newark vonesat mesatare kanë arritur rreth 170 minuta, ndërsa në Philadelphia rreth 60 minuta. Deri rreth orës 13:00 sipas kohës lokale, në Newark ishin regjistruar 92 anulime dhe afro 70 devijime fluturimesh.
Aeroporti Newark njoftoi pasagjerët se, për shkak të një defekti në pajisjet e FAA-së, si mbërritjet ashtu edhe nisjet po përballeshin me vonesa, duke u kërkuar udhëtarëve të kontaktonin kompanitë ajrore për informacion mbi statusin e fluturimeve.
FAA bëri të ditur se problemi lidhej me një ndërprerje të disa frekuencave në Philadelphia Terminal Radio Approach Control (TRACON), një nga qendrat që menaxhon trafikun ajror në zonë.
Probleme edhe në Mbretërinë e Bashkuar
Ndërkohë, probleme në trafikun ajror janë raportuar edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku pasagjerët u përballën me vonesa dhe anulime pas një defekti teknik në sistemet e kontrollit ajror.
Operatori britanik NATS tha se kishte identifikuar një problem lidhjeje në një pjesë të rrjetit të sistemeve në qendrën e tij në Prestwick, në Skoci. Sipas NATS, ky incident nuk kishte lidhje me problemin e raportuar në fillim të muajit.
Më vonë, NATS njoftoi se problemi ishte zgjidhur dhe se po punonte me kompanitë ajrore dhe aeroportet për të hequr kufizimet e vendosura në trafikun ajror.
