Last Updated on 22/09/2026 by EL
Një hotel me pesë yje nuk është gjithmonë garanci për një qëndrim të jashtëzakonshëm. Për udhëtarët që kërkojnë eksperienca vërtet të veçanta, një tjetër vlerësim po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi, Michelin Key.
Udhëzuesi Michelin, i njohur prej dekadash për vlerësimin e restoranteve me yje, nisi në vitin 2024 të vlerësojë edhe hotelet. Një çelës nënkupton një qëndrim “shumë të veçantë”, dy çelësa një eksperiencë “të jashtëzakonshme”, ndërsa tre çelësa u rezervohen hoteleve që Michelin i konsideron ndër qëndrimet më të rralla dhe më mbresëlënëse në botë, të denja për një udhëtim të paharrueshëm.
Në përzgjedhjen Michelin Key 2026, të publikuar javën e kaluar, janë vetëm 155 hotele me tre çelësa në të gjithë botën, ndërsa tetë prona europiane kanë marrë ose janë ngritur këtë vit në nivelin maksimal.
Airelles Palladio, Venecia
I vendosur në ishullin Giudecca, përballë sheshit të Shën Markut, Airelles Palladio është i vetmi hotel europian i këtij viti që mori tre çelësa që në debutimin e tij. Hoteli u shpall gjithashtu “Opening of the Year” nga Michelin.
Prona përbëhet nga katër ndërtesa historike dhe ofron një përvojë më të qetë të Venecias, larg kaosit të rrugëve të qytetit. Ajo ka spa-n më të madhe në Venecia, tre pishina dhe një sërë aktivitetesh kulturore, nga vizitat ekskluzive në Pallatin e Dozhëve deri te mësimet tradicionale të vozitjes veneciane. Në gastronomi, hoteli ofron restorante të lidhura me emra si Nobu Matsuhisa, Norbert Niederkofler dhe Cédric Grolet.
Collegio alla Querce, Firence
Në Firence, Collegio alla Querce, Auberge Collection, është vendosur në një vilë historike të shekullit XVII, e cila më vonë u shndërrua në kolegj.
Historia e ndërtesës është pjesë e rëndësishme e eksperiencës së hotelit. Një nga ambientet më karakteristike është bari i vendosur në ish-zyrën e drejtorit të kolegjit, ndërsa pishina e jashtme i shton pronës një tjetër element tërheqës.
Borgo Santandrea, Bregdeti Amalfitan
I vendosur në një ndërtesë moderniste të viteve ’60, Borgo Santandrea ofron një kombinim të arkitekturës së asaj periudhe me luksin bashkëkohor.
Një nga pikat më të veçanta është restoranti me tarracë, nga ku hapet një panoramë spektakolare mbi bregdetin e Amalfit.
Splendido, A Belmond Hotel, Portofino
Hoteli legjendar i Portofinos është një tjetër nga pronat italiane që këtë vit kaloi në kategorinë me tre çelësa.
Splendido ka vetëm 53 dhoma, një pishinë të jashtme dhe atë që përshkruhet si spa-ja e parë Dior në botë, duke e bërë atë një prej adresave më ekskluzive të rivierës italiane.
Château de la Chèvre d’Or, Èze
Në Francë, Château de la Chèvre d’Or fitoi tre çelësa falë vendndodhjes së tij spektakolare në fshatin mesjetar të Èze.
Hoteli përfiton maksimalisht nga pozicioni i tij panoramik, ndërsa dy pishinat e jashtme dhe restoranti me dy yje Michelin, La Chèvre d’Or, janë ndër pikat kryesore të pronës.
Le Couvent des Minimes, Francë
Një ish-manastir i shekullit XVII është transformuar në një resort luksoz wellness. Le Couvent des Minimes u vlerësua veçanërisht për Spa L’Occitane en Provence, me një sipërfaqe prej 2,500 metrash katrorë.
Hoteli ka gjithashtu restorantin me një yll Michelin, Le Feuillée.
Beau-Rivage Palace, Lozanë
Në brigjet e liqenit të Gjenevës, Beau-Rivage Palace është një nga hotelet tradicionale luksoze të Europës. Michelin e përshkruan si një nga “grand hotelet” tradicionale të kontinentit.
Pas një rinovimi të fundit, prona ofron një spa të gjerë, fusha tenisi dhe padel, si dhe një zonë për praktikimin e golfit.
Kulm Hotel St. Moritz, Zvicër
Në St. Moritz, Kulm Hotel është vlerësuar me tre çelësa për kombinimin e luksit alpin dhe panoramës së jashtëzakonshme.
Hoteli ofron pamje mbi liqen, një spa prej 2,000 metrash katrorë, pishinë të jashtme me pamje nga pistat e skive dhe disa restorante.
Në total, tre nga hotelet e reja me tre çelësa në Europë ndodhen në Itali, tre në Francë dhe dy në Zvicër, duke e bërë Europën një nga destinacionet kryesore për eksperiencat hotelerie të nivelit më të lartë sipas përzgjedhjes Michelin 2026.
