Aktori dhe regjisori francez Arnaud Denis ka vdekur të martën në Belgjikë, në moshën 43-vjeçare, pasi zgjodhi eutanazinë për t’i dhënë fund vuajtjeve të rënda shëndetësore, bëri të ditur avokati i tij për AFP.
Sipas avokatit Philippe Courtois, vendimi u mor pas konsultimeve me tre mjekë në Namur. “Trupi i tij nuk mund ta mbante më. Ai kishte humbur kontrollin mbi të”, tha Courtois, duke shtuar se vdekja e Denis ishte pasojë e dhimbjeve të forta që kishte përjetuar për muaj të tërë.
Denis, i njohur veçanërisht për produksionet e tij të “Les Liaisons dangereuses” të Choderlos de Laclos dhe “Les Femmes savantes” të Molière, nisi të përballej me probleme të rënda shëndetësore pas vendosjes së një implanti me rrjetë polipropileni për trajtimin e një hernie në ijën e djathtë, më 17 korrik 2023.
Operacioni u pasua nga një sërë komplikacionesh. Implanti u hoq në Shtetet e Bashkuara në prill 2024, por problemet shëndetësore vazhduan.
Aktori ishte diagnostikuar me encefalomielit mialgjik, në një kontekst të sindromës ASIA, e cila lidhet me një reaksion inflamator ndaj ekspozimit ndaj një adjuvanti. Sipas përshkrimit të rastit, mjekët dyshonin se implanti kishte shkaktuar inflamacion të vazhdueshëm dhe çrregullime të sistemit imunitar.
Në fillim të vitit 2026, Denis kishte përshkruar publikisht gjendjen e tij të rënduar, duke thënë se nuk mund të largohej më nga shtëpia dhe se nuk kishte më jetë shoqërore.
“Jetoj si një pacient me kancer në fazën terminale. Mjekët nuk kanë më asgjë për të më ofruar”, kishte rrëfyer ai për një të përditshme rajonale.
Vdekja e Denis rikthen në vëmendje edhe debatet mbi komplikacionet e mundshme të implanteve mjekësore dhe kriteret ligjore e mjekësore për eutanazinë në Belgjikë./mxh
