Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, do të takohet sot në Nju Jork me Ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov, njoftoi Departamenti i Shtetit.
Takimi do të mbahet në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe vjen në një kohë të përpjekjeve të shtuara diplomatike nga Uashingtoni lidhur me luftën në Ukrainë, raporton CNN.
Takimi i planifikuar vjen një ditë pasi Presidenti Donald Trump u takua me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha pas një takimi me presidentin ukrainas se mendon që Rusia dhe Ukraina së shpejti do të arrijnë një marrëveshje.
“Mendoj se diçka do të ndodhë”, tha Trump pas takimit me Zelenskyn në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari nëse Ukraina duhej të hiqte dorë nga diçka për t’i dhënë fund luftës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se është gati të takohet me presidentin rus Vladimir Putin dhe tha se presidenti amerikan Donald Trump “dëshiron t’i japë fund luftës” dhe se do të bëjë gjithçka që të ketë sukses në këtë drejtim.
Zelensky tha se gjëja më e rëndësishme është që Trump të mund të organizojë një takim trepalësh, ku do të diskutohen “të gjitha temat e ndjeshme” që mund të kontribuojnë në përfundimin e luftës.
Kur u pyet nëse ishte gati të takohej me Putinin, Zelensky u përgjigj se ishte “gati” dhe se takimi mund të mbahej “në çdo kohë, kur të gjitha palët të jenë gati”.
Zelensky tha se në takim u diskutua edhe mundësia e një armëpushimi energjetik midis Ukrainës dhe Rusisë.
Ai deklaroi se Kievi është gati për çdo format të një armëpushimi të tillë, me kusht që Rusia të mos sulmojë sistemin energjetik të Ukrainës./ad
