Aktori turk Kerem Bürsin, i njohur në serialin “Dyshja fantastike”, në Tv Klan dhe Lizge Cömert, aktorja turke, e cila ka interpretuar në serialin “Për familjen time” në Klan Plus, janë në qendër të vëmendjes pas zërave për një lidhje dashurie. Lajmi u bë publik nga gazetarja turke Bircan Bali dhe ka marrë menjëherë vëmendje në rrjetet sociale.
Sipas Bali, aktorët kanë luajtur së bashku në serialin “Çarpıntı”, dhe lidhja mes dy aktorëve mund të ketë nisur pas ndarjes së Kerem Bürsin nga Selin Yağcıoğlu. Ajo pretendoi se, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale që iu nënshtrua Bürsin, Lizge Cömert kishte qëndruar pranë tij në spital, duke shtuar se pikërisht në atë periudhë mund të ketë lindur romanca mes tyre.
“Pas operacionit, të gjithë ishin aty, por Lizge nuk ishte. Atë natë ajo qëndroi pranë tij. Dashuria ka nisur atëherë”, u shpreh Bali, duke pretenduar gjithashtu se Bürsin po e mbante të fshehtë lidhjen për shkak të diferencës në moshë.
Megjithatë, deri tani as Kerem Bürsin dhe as Lizge Cömert nuk e kanë konfirmuar një lidhje mes tyre.
Në të njëjtën kohë, Bürsin dhe ish-partnerja e tij, Selin Yağcıoğlu, kanë ndërprerë edhe ndjekjen e njëri-tjetrit në rrjetet sociale, pavarësisht se edhe pas ndarjes vazhdonin të ishin “follow” me njëri-tjetrin.
Sa i përket Lizge Cömert, aktorja i kishte dhënë fund më herët lidhjes katërvjeçare me Bilal Yiğit Koçak, me të cilin ishte njohur gjatë xhirimeve të serialit “Kardeşlerim”./mxh
