Last Updated on 23/09/2026 by EL
Zhvillimet e fundit në Ballkan duhet të shërbejnë si një kambanë alarmi për Europën, duke pasur parasysh rrezikun që provokimet nacionaliste në një vend të përhapen edhe në pjesë të tjera të rajonit. Zgjedhjet e shumta që do të zhvillohen muajin e ardhshëm rrisin rrezikun e një rrëshqitjeje të rrezikshme drejt destabilitetit politik.
Nga Carl Bildt, Project Syndicate
Politikat miope po rikethehen sërish në Ballkan. Funerali gjysmëzyrtar i këtij muaji në Beograd për kriminelin e dënuar të luftës Ratko Mladić, të cilin shumë serbë të Bosnjës vazhdojnë ta nderojnë, ka rikthyer traumat e së shkuarës dhe ka ndezur sërish tensionet nacionaliste. Marrëdhëniet diplomatike mes Serbisë dhe Bosnjës po përkeqësohen, duke shtuar edhe më shumë pikëpyetjet mbi procesin tashmë gjysmë të bllokuar të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Europian.
Edhe më keq, ndërsa Europa dhe Shtetet e Bashkuara dikur ishin kryesisht në një linjë në mbështetjen e tyre për procesin e brishtë politik në Bosnjë, sot kjo nuk është më e vërtetë. Presidentët e mëparshëm amerikanë mund të jenë akuzuar për ndërhyrje të tepruara, por administrata e Donald Trump nuk ka shfaqur pothuajse asnjë interes rreth proceseve delikate politike të rajonit. Shqetësimi i saj i vetëm duket se është avancimi i interesave të ngushta ekonomike dhe kjo ka nënkuptuar tolerimin, apo edhe mbështetjen, e nacionalistëve të vijës së ashpër serbe në Bosnjë.
Për shembull, administrata Trump ka mbështetur një projekt gazsjellësi që do të lidhte bregdetin kroat me Sarajevën, kryeqytetin e Bosnjës. Në pamje të parë, një projekt i tillë ka kuptim, duke pasur parasysh se mund të ulë varësinë e rajonit nga gazi rus. Por kur mendon se kontratat mund t’i jepen në mënyrë të dyshimtë një kompanie thuajse të panjohur më herët, drejtuesit e së cilës kanë “lidhje personale me Donald Trump”, fillojnë të ndizen dritat e alarmit.
Por dritat e alarmit po ndizen edhe në planin politik. Bosnja do të mbajë zgjedhjet këtë tetor dhe, në varësi të rezultatit, forcat e vijës së ashpër serbe mund të bashkohen me kroatët nacionalistë për të ndryshuar kuadrin e qeverisjes së vendit. Koha për një manovër të tillë është ideale, sepse SHBA-ja me shumë gjasë do të kthente kokën nga ana tjetër. Por nëse kjo do të rezultonte e suksesshme, komuniteti mysliman boshnjak do të ndihej pashmangshmërisht i kërcënuar dhe do të reagonte në përputhje me këtë, çka do të rriste rrezikun e një spiraleje negative që mund ta destabilizonte thellësisht vendin.
Edhe Serbia do të mbajë zgjedhje në tetor. Pas vitesh protestash masive studentore, qeveria përballet me një koalicion partish opozitare të bashkuara nën një flamur të vetëm. Me rezultatin ende tepër të paqartë, mund të imagjinohet lehtësisht një skenar në të cilin regjimi populist i presidentit Aleksandar Vučić thjesht shpall fitoren, duke shkaktuar edhe më shumë destabilitet.
Situata në Kosovë nuk është aspak më e qetë. Negociatat pajtuese mes Serbisë dhe Kosovës kanë ngecur, ndërsa autoriteteve vendore në qytetin e ndarë të Mitrovicës ende nuk u është dhënë përgjegjësia për urën që lidh zonat serbe dhe shqiptare, për shkak të frikës për atë që mund të pasojë.
Në një plan më të gjerë, sistemi politik i vendit është i bllokuar dhe zemërimi pas dënimit të fundit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës të Hashim Thaçit, ish-udhëheqës ushtarak dhe president i Kosovës nga viti 2016 deri në 2020, e ka larguar edhe më shumë vendin nga partnerët e tij të mëparshëm ndërkombëtarë.
Asnjë prej këtyre zhvillimeve, i marrë veçmas, nuk do të ishte domosdoshmërisht destabilizues. Por të marra së bashku, ato rrezikojnë të krijojnë një masë kritike të ndjenjave nacionaliste. Ideja qendrore mbi të cilën u ndërtuan proceset e paqes një çerek shekulli më parë ishte se kombinimi i negociatave për anëtarësim në BE dhe pajtimit të lehtësuar nga tribunalet e ndryshme ndërkombëtare do të sillte gradualisht stabilitet dhe bashkëpunim në rajon. Por kjo shpresë nuk është përmbushur.
Me përjashtim të Malit të Zi dhe, ndoshta, Shqipërisë, integrimi në BE ka ngecur dhe ka humbur një pjesë të madhe të fuqisë së tij si forcë motivuese. Po aq zhgënjyese është fakti se proceset e zhvilluara nga tribunalet ndërkombëtare në Hagë janë zgjatur në mënyrë kaq groteske, saqë nuk kanë më thuajse asnjë mundësi të nxisin pajtimin. Madje mund ta përkeqësojnë situatën.
Mali i Zi i vogël vazhdon të jetë në një trajektore premtuese, por është larg së qeni e sigurt nëse kandidatura e tij për anëtarësim në BE do të mund t’i mbijetonte një stuhie të re trazirash rajonale. Nëse Serbia ka interes të destabilizojë fqinjin e saj, ajo mund ta bëjë këtë lehtësisht.
Si gjithmonë në Ballkan, nuk ka zgjidhje të thjeshta për tensionet në rritje. Secili vend ka proceset e veta politike, por rreziku që krizat të ushqejnë njëra-tjetrën përtej kufijve është i lartë. Me SHBA-në të përqendruar vetëm te interesa private ekonomike dhe me BE-në të shpërqendruar nga agresioni rus dhe paparashikueshmëria amerikane, perspektiva për politika ndërkombëtare koherente që të rikthejnë stabilitetin, të nxisin pajtimin dhe të mbështesin integrimin është e zymtë.
Kjo nuk do të thotë se po shkojmë drejt një raundi të ri luftërash ballkanike. Por edhe përplasje të kufizuara mund të mjaftojnë për ta shtyrë të gjithë rajonin drejt një rruge më të pasigurt dhe më të rrezikshme. Udhëheqësit politikë, veçanërisht në Europë, duhet ta marrin seriozisht alarmin. Ballkani solli luftëra të mëdha në Europë dy herë gjatë shekullit të kaluar dhe mund të krijojë lehtësisht destabilitet edhe në këtë shekull.
