Last Updated on 24/09/2026 by EL
Ambasadori i Italisë Marco Alberti, ka komentuar nga Korça zhvillimet e fundit, duke u pyetur nga gazetarët edhe për hetimet ndaj ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës SPAK ka kërkuar masat e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra”.
Në një prononcim të shkurtër për mediat, Alberti u shpreh se nuk mund të komentojë çështjen, duke theksuar se fokusi i tij lidhet me bashkëpunimin dypalësh mes Shqipërisë dhe Italisë.
“Atëherë unë nuk mund t’ju jap asnjë përgjigje lidhur me këtë sepse ne merremi pra ose trajtojmë çështjet e bashkëpunimit dypalësh dhe nuk mund të kem asnjë mendim lidhur me këtë çfarë po më pyesni”, tha ai.
Ambasadori foli gjithashtu për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ai nënvizoi angazhimin e Italisë për rritjen e pranisë ekonomike në Shqipëri, ku sipas tij investimet italiane arrijnë rreth 1 miliard euro, ndërsa projekte të tjera pritet të sjellin edhe qindra vende të reja pune.
“Atëherë unë mund të ndalem te angazhimi i Italisë për ta rritur praninë e saj në Shqipëri dhe faktikisht Italia po përpiqet që t’i japë një përmbajtje tjetër marrëdhënieve strategjike me Shqipërinë. Kemi ndërkohë investime në Shqipëri të cilat kapin shifrën e rreth 1 miliard euro. Gjithashtu krahas investimeve të tjera do të realizohen ose do të mundësohen 600 apo 700 vende të reja pune.
Dhe është e rëndësishme që t’i jepet një përmbajtje tjetër këtyre marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve tona sepse ne jemi të mendimit që forcimi i marrëdhënieve në fushën e ekonomisë ndihmon sigurisht edhe në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian. Gjithashtu sektorë të rëndësishëm ku ne jemi të pranishëm është ai i inteligjencës artificiale e në sektorin digjital, në industrinë e mbrojtjes e kështu me radhë.
Pra synimi ynë nëpërmjet pranisë tonë këtu është që këtë të rinj apo fëmijët e sotëm të cilët në të ardhmen do të jenë të rritur të qëndrojnë në Korçë, të japin kontributin e tyre, pra ne të forcojmë marrëdhëniet tona në mënyrë që të ndihmojmë të rinjtë apo popullatën që të punojë dhe jetojë në Shqipëri duke dhënë ndihmesë për rritjen dhe zhvillimin e Shqipërisë”, u shpreh ai./et
