Armët e kontrabanduara nga Bosnje e Hercegovina, që dyshohet se kanë përfunduar në duart e rrjeteve kriminale në Bashkimin Evropian, janë në qendër të një hetimi të gjerë, gjurmët e të cilit kanë çuar në një zyrë të vogël policore pranë Sarajevës. Sipas autoriteteve perëndimore, disa prej këtyre rrjeteve janë përdorur për operacione në shërbim të Iranit.
Sipas informacioneve jozyrtare, armët dërgoheshin drejt Foxtrot-it, rrjet kriminal në Suedi i udhëhequr nga Rawa Majid, i cili lidhet edhe me operacionet e Teheranit në Evropë.
Agjencia Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje e Bosnje e Hercegovinës (SIPA), me mbështetjen e Europolit, zhvilloi më 23 shtator kontrolle në disa lokacione në vend, me urdhër të Prokurorisë dhe Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës.
Gjatë aksionit u ndalua një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kantonit të Sarajevës, përkatësisht i Drejtorisë së Policisë në Ilijash. Në rrethana ende të pasqaruara, ai arriti të merrte një pistoletë brenda ambienteve të policisë dhe qëlloi veten, përcjell A2.
Në atë kohë, ai ishte nën mbikëqyrjen e pjesëtarëve të SIPA-s, e cila deri tani nuk ka dalë me një njoftim zyrtar për incidentin.
Ky zyrtar, i cili ishte përgjegjës për lëshimin e lejeve për armë, vdiq në spital një ditë më vonë nga plagët e marra.
Ai dyshohet se kishte keqpërdorur lejet për armë të lëshuara për banorë të Ilijashit dhe zonës përreth. Dyshohet se, duke i përdorur këto leje, kishte blerë pistoleta nga të paktën dy kompani në Bratunac dhe Doboj dhe më pas, në mënyra ende të panjohura, i kishte futur ato në tregun ilegal.
Informacionet jozyrtare të Radios Evropa e Lirë (REL), të cilat deri tani nuk janë konfirmuar nga autoritetet e përfshira në hetim, tregojnë se gjatë viteve 2024 dhe 2025 ishin blerë disa dhjetëra armë.
Sipas informacioneve të REL-it, njëri prej kanaleve të kontrabandës çonte te grupi i udhëhequr nga Dino Muzaferoviq, me origjinë nga Bosnje e Hercegovina, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në Slloveni.
Sipas të dhënave të Europolit dhe hetuesve sllovenë, emri i Muzaferoviqit është përmendur prej vitesh në hetime ndërkombëtare për trafikimin e drogës dhe armëve, si dhe për veprimtarinë e rrjeteve kriminale nga Ballkani në BE.
Në një operacion të mëparshëm ndërkombëtar kundër rrjetit të tij, të mbështetur nga Europoli në shkurt të vitit 2025, hetues nga Bosnje e Hercegovina, Sllovenia dhe Suedia hetuan trafikimin e drogës, armëve dhe eksplozivëve, si dhe furnizimin e rrjeteve kriminale në BE./ad
