Last Updated on 28/09/2026 by EL
Bashkëpunimi akademik mes universiteteve shqiptare dhe Universitetit “Gabriele d’Annunzio” të Chietit në Itali po konsolidohet përmes programeve të përbashkëta të studimit, projekteve të kërkimit shkencor dhe shkëmbimit të eksperiencave në fushën e shëndetësisë dhe teknologjisë.
Një rol të veçantë në zhvillimin e këtij bashkëpunimi në fushën e stomatologjisë ka pasur Prof. Edit Xhajanka, ish-dekane, e cila ka kontribuar në vendosjen dhe forcimin e marrëdhënieve akademike me Universitetin “Gabriele d’Annunzio”. Në kuadër të këtij bashkëpunimi janë realizuar dy programe të përbashkëta Master, si dhe projekte të përbashkëta të kërkimit shkencor me Universitetin e Chietit.
Ky bashkëpunim vijoi edhe me zhvillimin e Programit BIP “One Health Digital Care”, i zhvilluar në datat 21–25 shtator në Universitetin “Gabriele d’Annunzio”, ku u mblodhën akademikë, kërkues shkencorë dhe studentë nga disa vende europiane.
Programi, i organizuar nën drejtimin e Prof. Bruna Sinjarit, u fokusua në qasjen “One Health” dhe në përdorimin e teknologjive digjitale në kujdesin shëndetësor, duke krijuar mundësi për shkëmbim njohurish dhe eksperiencash mes universiteteve pjesëmarrëse.
Gjatë pesë ditëve të aktivitetit u zhvilluan leksione, prezantime dhe diskutime shkencore, ndërsa programi akademik u shoqërua edhe me aktivitete sociale dhe kulturore në rajonin e Abruzzos.
Bashkëpunimet e tilla universitare krijojnë mundësi për rritjen e mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik, zhvillimin e kërkimit shkencor dhe përfshirjen e institucioneve shqiptare në rrjete europiane të arsimit të lartë.
Programi “One Health Digital Care” përfaqëson një tjetër hap në konsolidimin e marrëdhënieve akademike Shqipëri-Itali dhe në krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim në fushën e shëndetësisë, stomatologjisë dhe inovacionit digjital.
