Greqia po përgatitet t’i bashkohet nismës së disa vendeve evropiane për krijimin e qendrave të kthimit të migrantëve në Afrikë, me synimin që projekti të nisë në gjysmën e dytë të vitit 2027.
Ministri grek për Migracionin, Thanos Plevris, tha se Athina ka zgjedhur tashmë një vend afrikan për projektin, por emri i tij nuk do të bëhet ende publik.
Në këtë nismë janë përfshirë edhe Danimarka, Austria, Gjermania dhe Holanda. Qendrat, të njohura si “return hubs”, synojnë të trajtojnë procedurat për personat, të cilëve u është refuzuar e drejta për të qëndruar në Evropë dhe të organizojnë kthimin e tyre. Projekti ndryshon nga modeli i qendrave të migrantëve që Italia ka ngritur në Shqipëri, pasi këto struktura do të ngrihen në territorin afrikan.
Mes vendeve që janë përmendur si destinacione të mundshme për qendrat janë Uganda dhe Ruanda, megjithëse qeveria greke nuk ka konfirmuar zyrtarisht asnjërin prej tyre. Plevris pritet të zhvillojë takime me përfaqësuesit e katër vendeve të tjera dhe me drejtuesin e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin për të diskutuar zbatimin e projektit.
Greqia kërkon gjithashtu që në nivel evropian të krijohet një mekanizëm për masa të jashtëzakonshme në rast të krizave të mëdha migratore. Plevris tha se në situata të tilla autoritetet duhet të kenë mundësi të reagojnë me procedura më të shpejta për kthimin e personave që nuk plotësojnë kushtet për qëndrim.
Nisma vjen në një kohë kur Greqia, ashtu si disa vende të tjera të BE-së, po kërkon forcimin e politikave për kthimet dhe bashkëpunimin me vendet jashtë Bashkimit Evropian për menaxhimin e migracionit./mxh
