Profesori i kriminalistikës Ervin Karamuço deklaroi se shërbimi sekret serb, BIA, ka arritur sipas tij dy rezultate në raport me Shqipërinë gjatë muajit të fundit, duke përmendur procesin gjyqësor në Hagë dhe atë që e cilësoi si dëmtim të reputacionit të SHISH.
I ftuar në emisionin Now në Euronews Albania, Karamuço tha se zhvillimet e fundit duhet të shihen edhe në kontekstin e rreziqeve që, sipas tij, mund të vijnë nga shërbimet e vendeve jo mike.
“Rreziqet që ne kemi, sidomos përballë BIA-s, dy fitore ka arritur BIA brenda muajit me ne”, u shpreh Karamuço, duke iu referuar më pas çështjes në Hagë dhe situatës së krijuar rreth Shërbimit Informativ të Shtetit.
Sipas tij, zhvillimet e fundit kanë ndikuar në perceptimin publik për SHISH-in.
“Rënien e këtij institucioni edhe për fajin tonë. Ku ka shërbim të një vendi jo mik që brenda natës të shkatërrojë shërbimin e një vendi tjetër?”, deklaroi ai.
Karamuço argumentoi se situata mund të shfrytëzohet nga aktorë të huaj për të ndikuar në perceptimin mbi institucionet shqiptare të sigurisë./ad
