Aktori i njohur i “Spider-Man”, Tobey Maguire, dhe ish-gruaja e tij, Jennifer Meyer, kanë finalizuar zyrtarisht divorcin, 10 vjet pasi i dhanë fund martesës dhe gjashtë vjet pasi Meyer paraqiti kërkesën për divorc.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga revista PEOPLE, vendimi u depozitua në Gjykatën e Lartë të Los Angeles më 1 tetor. Në dokumentet gjyqësore thuhet se martesa është zgjidhur dhe të dy palët rikthehen zyrtarisht në statusin e personave beqarë.
Kërkesa e Meyer për të ndarë zgjidhjen e martesës nga çështjet e tjera u pranua nga gjykata. Ish-çifti ka rënë gjithashtu dakord të emërojë një gjyqtar privat për të ndërmjetësuar çdo mosmarrëveshje të mbetur, ndërsa vijojnë punën për një marrëveshje përfundimtare më të gjerë.
Maguire dhe Meyer u martuan më 3 shtator 2007 dhe kanë dy fëmijë, Ruby, 19 vjeç, dhe Otis, 17 vjeç. Ata u ndanë në qershor 2016, ndërsa Meyer paraqiti kërkesën për divorc në tetor 2020. Maguire paraqiti përgjigjen e tij në korrik 2025.
Në vitin 2019, një burim i afërt me çiftin i tha PEOPLE se ata kishin jetuar jetë të ndara prej kohësh dhe se kishin interesa të ndryshme.
Tobey Maguire and Ex-Wife Jennifer Meyer Finalize Divorce 10 Years After Splitting https://t.co/1bkMeEDAEL
— People (@people) October 2, 2026
Në një deklaratë të përbashkët pas ndarjes, Maguire dhe Meyer thanë se vendimi ishte marrë “pas shumë mendimesh dhe vetëanalize”, duke theksuar se prioriteti i tyre mbetej rritja e fëmijëve me dashuri, respekt dhe miqësi.
Pavarësisht divorcit, marrëdhënia mes tyre duket se ka mbetur shumë e mirë. Në vitin 2025, Meyer foli për Maguire në podkastin “The Inside Edit”, duke e përshkruar si “shokun e saj më të mirë” dhe duke thënë se ai do të bënte gjithçka për të.
Ajo e cilësoi gjithashtu si “babain më të mirë, ish-burrin më të mirë, mikun më të mirë” dhe tregoi se Maguire kishte një marrëdhënie të mirë edhe me partnerin e saj.
Meyer, e cila tashmë është e fejuar dhe këtë vit është bërë nënë e një fëmije tjetër, tregoi se ajo, i fejuari dhe fëmijët e tyre qëndruan në shtëpinë e Maguire gjatë zjarreve të mëdha që goditën Los Angeles-in në fillim të vitit 2025./k.m
